Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Familja Zyhrani nga Llausha mbeti pa kulm mbi kokë

Familja Zyhrani nga Llausha mbeti pa kulm mbi kokë

Përmbytjet në Drenicë kanë lënë pasoja të mëdha materiale. Familja e Xhafer Zyhranit nga Llausha e Skënderajt ka mbetur pa kulm mbi kokë si pasojë e rrëzimit të shtëpisë nga vërshimet e djeshme.

Kryefamiljari Xhafer Zyhrani ka deklaruar se jeta e pesë anëtarëve të familjes së tij ka qenë në rrezik, derisa ata janë evakuar nga ekipet emergente të komunës së Skënderajt.

Ai ka rrëfyer se nga vërshimet e djeshme nuk i ka shpëtuar asgjë në shtëpi. Zyhrani ka thënë se anëtarët e familjes i ka të strehuar në Skënderaj, te të afërmit e tij.

“Dëmet janë krejt çka ekzisiton në një ekonomi familjare. Familja ka shpëtuar, ndërsa shtëpia, vetura e traktori të gjitha janë të dëmtuara. E falënderoj komunën që na kanë evakuar, sepse s’kemi mundur as dyert me i hapur… Shtëpia e rrëzuar ka qenë e banueshme. Kemi qenë të bllokuar, ndërkohë kanë ardhur të komunës dhe na kanë avakuar. Anëtarët e familjes i kam të strehuar tek motra në Skënderaj”, ka thënë ai.

Kryetari i komunës, Fadil Nura gjatë ditës ka thënë se dëmet materiale në Skënderaj, si rrjedhojë e vërshimeve në 24 orët e fundit, janë të mëdha. Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, dëmet kapin vlerën e miliona eurove.

Vendet më të prekura nga reshjet e shiut në Drenicë janë qyteti i Skënderajt, Llausha dhe Klina e Ulët.

/TV Arbëria