Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fahri Xharra i përgjigjet pretendimit për “fjalën e parë serbe” në një stelë 2 mijëvjeçare në Prizren

Fahri Xharra i përgjigjet pretendimit për “fjalën e parë serbe” në një stelë 2 mijëvjeçare në Prizren

Publicisti Fahri Xharra ka reaguar ndaj një pretendimi që po qarkullon në rrjete sociale, sipas të cilit një monument rreth 2 mijë-vjeçar nga Prizreni dëshmon praninë e serbëve në këtë hapësirë në lashtësi.

Sipas pretendimit të publikuar nga autorja serbe Ranka Kuiq, në një nekropol të vjetër në Prizren është gdhendur një fjalë që paraqitet si fjalë serbe, ndërsa kjo është përdorur si argument për praninë e serbëve, të identifikuar si “Triballë”, në Prizren para rreth 2 mijë vjetësh.

Xharra, megjithatë, e kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se mbishkrimi është në kontekstin e epigrafisë romake.

“D · M — shkurtesë latine për Dis Manibus, ‘Hyjnive/shpirtrave të të vdekurve’, formulë shumë e zakonshme në varret romake”, shkruan Xharra.

Ai thekson se pjesët e tjera të mbishkrimit duket se përmbajnë emra personalë dhe formulën funerare latine VIXIT ANNIS…, që përkthehet “jetoi … vjet”.

Sipas tij, fjala e paraqitur si “pravosem” nuk përbën dëshmi për ekzistencën e një fjale serbe në monument.

“Fjala e nënvizuar, të cilën dikush e paraqet si ‘pravosem’, nuk është provë e një fjale serbe. Shkrimi është i dëmtuar dhe segmentimi i shkronjave është bërë në mënyrë arbitrare”, shprehet Xharra.

Ai shton se në fotografi pjesa e mbishkrimit duket më shumë si pjesë e një emri ose formule latine dhe jo si fjali në gjuhën sllave.

Xharra e konsideron gjithashtu të pambështetur pretendimin se bëhet fjalë për “fjalën e parë serbe”, duke theksuar se monumenti i përket një periudhe shumë më të hershme.

“Shkronjat që shihen janë kapitale latine”, shkruan ai, duke shtuar se nuk sheh në këtë fotografi ndonjë dëshmi për një emër fisnor “Triballi”, mbishkrim thrak apo provë që personi i varrosur ishte triball.

Në përfundim, Xharra vlerëson se stela mund t’i përkasë një banori të romanizuar të Dardanisë, ndërsa pretendimin për “fjalën e parë serbe” në monument e cilëson si të pambështetur nga dëshmitë që shihen në mbishkrim.