Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Exit-pollet e porositura – laboratorë të mashtrimit elektoral II

Exit-pollet e porositura – laboratorë të mashtrimit elektoral II

Shkruan: Fadil Maloku

 

Tri exit-pollet e organizuara në Kosovë, ditën e votimit, nëse vërtetohet se promovimin e rezultateve të tyre e kanë ushtruar para afatit të përfundimit të së drejtës për votim (ora 19:00), atëherë është e kuptueshme se ato, përveç “huqjeve të qëllimshme statistikore”, kanë pasur edhe një varg qëllimesh të tjera politike.

 

Midis këtyre qëllimeve, po identifikoj disa nga to:

  1. Shtimin e dyshimit në transparencën, llogaridhënien, përgjegjësinë dhe paanshmërinë e institucioneve shtetërore;
  2. Devijimin e perceptimit real të votuesve gjatë procesit të votimit, që është rreptësisht i ndaluar si me ligjin zgjedhor, ashtu edhe me Kushtetutë;
  3. Uljen e besimit në disa subjekte politike që kanë interesin dhe synimin e kompromitimit të rivalëve ideologjikë;
  4. Shtimin e polarizimit ndërpartiak, i cili edhe ashtu ishte evident për shkak të frustrimit të shkaktuar nga ngërçi pesë- a gjashtëmujor politik;
  5. Bartjen e këtij polarizimi edhe në shtresat e gjera qytetare, ku grupet militante do të bënin thirrje për thyerjen e rendit aktual kushtetues;
  6. Tensionimin permanent dhe shkaktimin e dëmeve reputacionale midis klaneve dhe grupeve të ndryshme të interesit që zotërojnë monopole ekonomike në vend;
  7. Manipulimin e qëllimshëm politik, për të ndërtuar narracione me imperative ekskluzive të kontrollimit të perceptimit të votuesve potencialë.

 

P.S. Nuk e them rastësisht se Kosova, si vend me demokraci ende të brishtë, ka shumë më tepër nevojë për sondazhe të verifikuara shkencërisht, që realizohen nga ekipe të pavarura e kredibile, të gatshme të marrin përgjegjësi etike e morale, sesa për “laboratorë të mashtrimit elektoral” që prodhojnë krizë besimi, devijim perceptimi dhe destabilitet institucional të shtetit… dhe vendit!