Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Evropa riktheu thëngjillin, Kosova mbeti me gishta në gojë

Evropa riktheu thëngjillin, Kosova mbeti me gishta në gojë

Shkruan: Agron Hoti
Evropa di të ankohet pse SHBA nuk e përfshin në vendimmarrje as për çështje që prekin drejtpërdrejt sigurinë e saj (p.sh. Ukraina) e jo më për problemet globale. Por kur Rusia ia mbylli “ca gypa” të energjisë, Evropa nuk humbi asnjë sekondë: vrapoi drejt thëngjillit. Pa turp. Pa dilema morale. Pa standarde mjedisore. Vetëm për t’i mbajtur sa “më të ngrohta dhomat nëpër shtëpitë e saj”.
Të gjitha ato parime, standarde dhe moralizime që për dy dekada ia predikoi Kosovës (2001–2022), Evropa i hodhi në kosh në momentin që bombat ruse filluan t’i “trokisnin” në derë. Ajo që Kosovës i ndalohej kategorikisht, Evropa e bëri pa asnjë hezitim.
Ndërkohë, Kosova, që nga paslufta e deri me sot, nuk ka pasur problem më jetik se energjia. As sot nuk ka. Kosova në vitin 1999 ishte një foshnjë e porsalindur, e shkatërruar dhe e izoluar. Dhe kush ka nevojë për ndihmë më shumë sesa një foshnjë? Por ndryshe nga ajo që SHBA i bëri Evropës së shkatërruar pas vitit 1945 (Plani Marshall, hapja e tregjeve, qasja në energji, infrastruktura), Evropa nuk ia ofroi asgjë të ngjashme Kosovës.
Evropa predikoi, por nuk investoi. Këshilloi, por nuk financoi. Vendosi kushte, por nuk hapi dyer. Sikur Evropa ta kishte dashur Kosovën aq sa e deklaron nëpër konferenca, qysh në vitin 2001 do ta kishte financuar një termocentral të ri. Do t’ia kishte hapur tregun me lëvizje të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve. Do t’i kishte financuar projektet e mëdha infrastrukturore për ta lidhur Kosovën realisht me rajonin dhe BE-në. Po të kishte ndodhur kjo, rritja ekonomike e Kosovës 2000–2025 nuk do të ishte rrotull +/-4%, por të paktën dyfish më e lartë.
Por, Kosova, edhe kështu, e izoluar, pa investime serioze evropiane dhe në një mjedis rajonal armiqësor, ia doli që megjithatë të kishte një rritje ekonomike me rreth 4%. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur po të kishte pasur Kosova mbështetje reale. Ndoshta nuk do të kishin ikur gati 1 milion të rinj nga viti 1999 deri më 2025, mjerisht gati gjysma e popullsisë.
Po të kishte pasur Kosova një termocentral të ri rreth vitit 2004, zhvillimi ekonomik do të kishte qenë shumë më i shpejtë. Ikja e afër 1 milionë të rinjëve do të ishte frenuar. Dhe rreth viteve 2035–2040, Kosova do të kishte pasur kapacitet ekonomik për të diversifikuar energjinë dhe për ta braktisur gradualisht thëngjillin, saktësisht siç po projektojnë sot vendet evropiane.
Ironia është brutale: Evropa, me gjithë pasurinë dhe zhvillimin e saj, ose nuk arriti – ose nuk deshi, sepse ishte më rehat me energjinë e lirë ruse – t’i diversifikonte burimet energjetike. Prandaj i mbajti dhe madje i riaktivizoi termocentralet me thëngjill. Ndërsa Kosovës i thoshte: mbyllni edhe termocentral që keni dhe diversifikoni energjinë.
E me çfarë ta diversifikonte e gjora Kosova energjinë? Pa zhvillim ekonomik? Pa qasje në tregun evropian? Pa investime? E izoluar politikisht dhe ekonomikisht? Ky nuk është standard i dyfishtë. Ky është hipokrizi e pastër evropiane. Ne, Kosova, ka mbi 26 vite që s’pyetemi nga Evropa për probleme reale tonat, a thua si po i duket Evropës kur për probleme të veta s’po pyetet nga SHBA?