Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Evropa ndërmjet mirëqenies sociale dhe gatishmërisë për luftë

Evropa ndërmjet mirëqenies sociale dhe gatishmërisë për luftë

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka ekzistuar një konstatim i përgjithshëm se siguria, paqja dhe zhvillimi i mirëqenies ekonomike në kontinentin evropian në masë të madhe ka qenë rezultat i hegjemonisë amerikane. Nën ombrellën e sigurisë që e garantonte kjo superfuqi planetare, shtetet e BE-së kanë pasur mundësi që t’i ndajnë politikat ekonomike nga konsideratat e sigurisë dhe ta shfrytëzojnë këtë shans historik për ndërtimin e modelit të shtetit të mirëqenies sociale. Shto edhe këtu faktin se pas relaksimit ta raporteve me Rusinë, kjo e fundit u bë furnizuesi kryesor i ekonomive evropiane me burime të lira energjetike. Pra me një siguri të garantuar nga prezenca amerikane me importim të energjisë nga Rusia, si dhe eksportim të mallrave në tregun aziatik, çdo gjë po shkonte për mrekulli. Deri para luftës në Ukrainë thuhet se 45 për qind të nevojave për gaz ishin siguruar nga Rusia. Në këtë drejtim përfituese e jashtëzakonshme ishte ekonomia gjermane si njëri nga vendet në të fuqishme ekonomike në kontinent. Evropianët po jetonin në paqen e parajsës post-historike.

Dallimin ndërmjet SHBA-ve dhe Evropës e kishte shprehur qartë njëri nga njohësit më të spikatur të marrëdhënieve ndërkombëtare, Rober Kagan, në librin e tij, Of Paradise and Power, kur shkruante se të parët janë nga Marsi( zoti i luftës) dhe të dytit nga “Venusi” si perëndia e dashurisë, seksit, bukurisë, plleshmërisë dhe fitores. Por sipas tij evropianët mund të jetonin në këto ëndrra të paqes kantiane, sepse atë ua mundësonte Amerika hobsibane duke u përkujdesur për sigurinë globale. Shumë vende evropiane anëtare të NATO-së aq ishin shpërfillëse ndaj investimeve në mbrojte sa që asnjëra prej tyre nuk e konsideronte të rëndësishme ta plotësonte kriterin prej 2 për qind të GDP për mbrojte sipas detyrimeve të Aleancës transatlantike.

Mirëpo, kjo botë tashmë duket se ka hyrë në një proces të dekompozimit të pashmangshëm. Lufta në Ukrainë u ka treguar shumë shteteve të BE-së se paqja postmodorne nuk është mundur tash e tutje nëse nuk investohet për ta mbrojtur. Po ashtu, eksponent të administratës Trump ua kanë bërë të qartë kryeqendrave evropiane se siguria e kontinentit nuk do të jetë interes primar i Uashingtonit. Për më shumë vetë presidenti ka paralajmëruar se nëse ato nuk janë të gatshme t’i rrisin shpenzimet në mbrojte nuk do ta gëzojnë mbrojtjen amerikane, sipas nenit 5 të traktatit të NATO-së.

Ky tjetërsim i raporteve ndërmjet aleateve të deri tashëm i ka alarmuar shumë nga shtetet evropiane. Ato e kanë shtruar si nevojë strategjike forcimin e autonomisë strategjike të Evropës, pasi sipas tyre tash e tutje nuk mund të bazohen më asistencën e Uashingtonit. Në këtë drejtim, si Franca ashtu edhe Gjermania, janë bërë avokuesit me të dalluar të kësaj qasje të re. Natyrisht, edhe pse jo pjesë e BE-së, po ashtu edhe Britania e Madhe, ka shprehur apetititet e saj për ta pasur një rol më aktiv në garantimin e sigurisë evropiane. Një ndryshim ky që shumë kush e ka quajtur edhe si rikthim të saj pas Brexi-it. Në këtë drejtim kancelari në ardhje i Gjermanisë, ka paralajmëruar pavarësimin e mundshëm nga Amerika si dhe që shumë shpejt NATO mund të jetë e vdekur. Ai ka premtuar se do ta bëjë çdo gjë që të jetë e mundur në drejtim të rritjes së shpenzimeve për mbrojtje, duke mos përjashtuar as sigurimin e ombrellës bërthamore. Po ashtu, edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron po kërkon me ngulm rritjen e shpenzimeve ushtarake si masë për t’u mbrojtur nga rreziku rus dhe tërheqja e mundshme amerikane.

Se sa do t’ia dalin, sidomos Franca dhe Gjermania, si dy nga shtetet më të fuqishme të BE-së, në këtë drejtim mbetet të shihet. Ndonëse siç kishte paralajmëruar, ditë më parë, ministri i Jashtëm të Lituanisë, Kęstutis Budrys, se “edhe po të fillonin që nga sot vendet e BE-së të investonin deri në 5 për qind të GDP në mbrojtje, përsëri do të duheshin deri në 15 vite që kontinenti ta kompensonte vakumin e amerikan”. E këtu jo që bëhet fjalë për 5 për qind investime, vetëm si shtohen mjetet deri në 2 për qind.

Me këtë rast Presidenti i Francës, Emmnunel Macron, është duke u përballur me presione të brendshme kundër asaj që kritiket e tij e kanë cilësuar si ekonomi e luftës. Deri më tani Franca ka investuar 2.1 për qind te GDP në vit për nevoja ushtarake. Mirëpo Macron synon që këtë prag ta rris në tre për qind. Mirëpo, me një parlament të fragmentarizuar as që mund të pritet që të behën ndryshimet e nevojshme buxhetore në funksion të këtij qëllimi shkruan Politico.eu. Po ashtu edhe sikur të ishte e mundur ekziston frika se ato mjete do të duhet të sigurohen në kurriz shtetit social. Skenar ky qo do të mund të shndërrohej në burim të trazirave sociale.

E, në situatë më të mirë nuk është as Gjermania. Sipas një raporti të bërë publik dje nga i njëjti medium, edhe “Bundeswehr-i” mbetet tej mase i atrofizuar dhe pa pajisje dhe aftësitë e duhura në rrethanat aktuale, përkundër premtimeve të njëpasnjëshme politike për ta përmirësuar gjendjen. Forcat mbrojtëse gjermane po tkurren dita ditës, janë në plakje e sipër, si dhe u mungojnë mjetet esenciale, megithë investimet e shtuara veçanërisht pas sulmit te Rusisë mbi Ukrainën. Bie fjala për shkak të mungesës së interesit të gjeneratave të reja për t’u bërë pjesë ushtrisë, sot mosha mesatare e trupave gjermane është 34 vjeçare.

Çdo intervenim radikal në këtë sferë nënkupton ndryshime kushtetuese që do t’ia mundësonte vendit të zhytej në borxhe publike për të investuar në mbrojte. Mirëpo, të dhënat e fundit nuk janë shumë shpresëdhënëse. Partia e gjelbër e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike një ndryshim të tillë. Çfarë tregon se Gjermania ndodhet në një mision të pamundur në këtë drejtim.

Këto fakte tregojnë se BE do të vazhdojë të mbetet peng i kontradiktave ndërmjet psikologjisë së luftës dhe vazhdimit të sigurisë së rehatisë sociale si parakusht që politikanët të mos e humbin legjitimitetin demokratik.

E këtë tension e ka shprehur para pak dite edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në një interviste për mediat amerikane, ai ka pohuar se kur i pyesim vendet evropiane anëtare të NATO-së, se “ pse nuk shpenzojnë më shumë për sigurinë nacionale, argumenti i tyre është se në këtë mënyrë do t’i shkurtonin programet e mirëqenies sociale, mbrojtjen e të papunëve apo edhe daljen ne pension në moshën 59 vjeçare dhe gjë ra të tjera”. /TV Arbëria