Shkruan: Agron Hoti
Gjatë periudhës 2000-2021, presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës paralajmëronin pa pushim Evropën: armatosuni dhe hiqni dorë nga varësia energjetike ndaj Rusisë, sepse një ditë do ta paguani shtrenjtë. Evropa jo vetëm që nuk dëgjoi, por veproi në mënyrë tërësisht të kundërt.
Dhe mjerisht, për 21 vite rresht, ajo e ushqeu me vetëdije një shtet që sot e quan kërcënim, duke i derdhur Rusisë rreth 200 miliardë euro në vit vetëm për energji, pa harruar këtu investime në Rusi afro 400 miliardë euro.
Kjo nuk ishte thjesht naivitet, por papërgjegjësi strategjike. Pikërisht në këtë periudhë (2000–2021), Putini ndërtonte me durim rikthimin e ndikimit rus në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Me paratë e Evropës, Rusia u fuqizua ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht, duke e kthyer këtë fuqi kundër vetë Evropës dhe aleatëve të saj.
Sulmi ndaj Ukrainës në shkurt 2022 ishte vetëm shpërthimi i një realiteti që ishte ndërtuar për dekada. Në të njëjtën kohë, Lindja e Mesme u përfshi nga tensione të nxitura nga aktorë si Irani, në përputhje me interesat ruse dhe kineze. Vetëm tani Evropa dhe Lindja e Mesme filluan të kuptojnë sa thellë kishin gabuar. Dhe sot, ironia është e hidhur: Evropa nuk do as të dëgjojë më për energjinë ruse, ndërsa vendet e Lindjes së Mesme po distancohen gjithnjë e më shumë nga ndikimi iranian.
Por pasojat nuk ndalen këtu. Gjatë viteve 2000–2021, Rusia nuk u mjaftua vetëm në fuqizimin e vet, por punoi aktivisht për të dobësuar kampin perëndimor, përfshirë Ballkanin. Në Kosovë, përmes ndikimeve të tërthorta dhe aleatëve të saj, synohej eliminimi politik i forcave pro-amerikane të kryesuara nga Krerët e UÇK-së.
Paralelisht, Rusia përmes Lindjes së Mesme ushqeu dhe përhapi rryma të islamit politik dhe radikal, si një instrument për të rritur ndjenjat antiamerikane edhe në rajone si Kosova dhe diasporë të saj. Jo rastësisht Kosova zuri vendin e parë në Evropë për kokë banori për vullnetarët në ISIS e rryma tjera terroriste.
Rezultati po shihet sheshazi? Një terren i helmuar politikisht, ideologjikisht dhe fetarisht. Antiamerikanizmi, dikur i pa-paramendueshëm në Kosovë, u rrit dhe u normalizua. Dhe sot, pasojat janë të dukshme: nga viti 2021 e tutje, Kosova është përballur me masa dhe ndëshkime nga vetë aleatët perëndimorë, një paradoks ky i dhimbshëm për një shtet që ekzistencën e tij ua detyron pikërisht atyre.
Ndërkohë që Evropa dhe Lindja e Mesme, edhe pse me vonesë, u kthjelluan dhe u rikthyen në krah të SHBA-së, Kosova vazhdon të endet në një mjegull politike dhe ideologjike të rrezikshme. Një përzierje e populizmit, antiamerikanizmit dhe ndikimeve të jashtme e ka futur vendin në një cikël të pafund krizash dhe bllokadash që po nxisin ikje të frikshme të rinisë dhe atyre pak profesionistëve që kanë ngelur.
Dhe kjo nuk është më rastësi, është pasojë direkte e zgjedhjeve të gabuara që po e fundosin dhe përthajnë të ardhmen e Kosovës.