Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Republika e Kosovës ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për REL, i pyetur se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq lidhur me kthimin e forcave të saj në Kosovë, Escobar ka thënë se SHBA-të e kundërshtojnë këtë, kategorikisht.
“Ne e kundërshtojmë kategorikisht. Ne e hedhim poshtë këtë kategorikisht. Ne nuk e mbështesim fare këtë. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Escobar.
Nga ana tjetër, barrikadimi i rrugëve në Veri të vendit po vazhdon dhe tensione të situatës janë parë që nga vikendi ndonëse tanimë, situata raportohet të jetë e qetë. Por se cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse Beogradi vërtetë do të ndërmerrte një inkursion të armatosur në Veri, Escobar ka thënë se nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë.
“E para, këtë nuk e pres. E dyta, po e përsërisë, Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të manifestuara përmes pjesëmarjes së saj në KFOR”, ka deklaruar Escobar.
Bashkë me Escobar, në vizitë Kurtit këtë të martë do t’i shkojë edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në këtë takim pritet të diskutohet për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, dhe vendosjen e barrikadave nga serbët e asaj ane.