Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Një vit nga (mos)marrëveshja e Ohrit

Një vit nga (mos)marrëveshja e Ohrit

Para një viti Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së bazë të Brukselit sipas planit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, në vend të normalizimit raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjatë kësaj periudhe i ka karakterizuar “rrethi vicioz i krizave dhe tensioneve”. I zhgënjyer me mos zbatimin e saj u shpreh në një vjetorin e këtij dakordimi edhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell. Diplomati i lartë i Brukselit pohoi “Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres”. Një qëndrim të tillë dëshpërues mbi mos zbatimin e kësaj marrëveshje në vazhdimësi e kanë shprehur edhe SHBA-të.

Kosova nuk ka proceduar me tutje me zbatimin e kësaj marrëveshje, sepse sipas kryeministrit Kurti, atë nuk po e nënshkruan Serbia. Ndërkohë, kjo e fundit thotë, se Prishtina e ka obligim fillimisht ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, BE dhe SHBA-të, e kanë quajtur si obligim ndërkombëtar këtë marrëveshje.

Por sot kur jemi në këtë “status quoe” të “re” janë shtuar thirrjet për rimendnim të strategjisë  së bashkësisë ndërkombëtare për t’i detyruar palët që ta zbatojnë atë. Borrell ka paralajmëruar vazhdimin e presionit për këtë qëllim. Kurse i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Escobar, para pak dite në një intervistë për Evropën e Lirë, deklaroi se si kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, krahas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin 24 e hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, do të mund të përdoren edhe detyrimi për ta themeluar Asociacionin dhe ai i shpronësimeve në veri.

Ndërkaq, jo pak ditë me parë Parlamenti Evropian, i kishte kërkuar BE-së  që ta ndryshojë  qasjen në dialog në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Sipas raportit të këtij institucioni dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, sot më anë të një postimi në rrjetin e tij social X ka shkruar “për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian” .

E këtu kujtuar se ditën që palët ishin pajtuar për këtë marrëveshje, Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte deklaruar se “ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian. Mbetet të shihet se a edhe do të formatizohet plotësisht ky kusht?

/TV Arbëria

Powered by WordPress