Manchester United ka përforcuar fazën e sulmit gjatë këtij afati kalimtar veror, duke siguruar nënshkrimin e Joshua Zirkzee.
Ky i fundit tregoi paraqitje mjaft të mira me Bolognan, dhe ishte ndër faktorët kyç që klubi italian siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Mirëpo, duket se adaptimi me pjesën tjetër të skuadrës dhe me nivelin e futbollit në Angli është ende larg, shkruan “Gazeta Express”.
Këtë e konfirmon edhe trajneri holandez i Manchester United, Erik ten Hag, i cili thotë se për të arritur këtë gjë, duhen edhe disa javë.
“Na duhet kohë që ta përshtatim me sistemin tonë të lojës, dhe kjo gjë mund të marrë edhe javë të tëra”, tha ten Hag fillimisht në konferencë për shtyp, para ndeshjes së sontme ndaj Manchester City në FA Community Shield.
Ai shtoi tutje duke bërë me dije se çka duhet të bëj sulmuesi holandez, që të jetë sa më i gatshëm për “Djajtë e Kuq”.
“Ai duhet të ngris nivelin e tij dhe ne jemi këtu ta ndihmojmë. Ai duhet të punojë fortë, sepse nuk ka qenë pjesë e parasezonit me ne, pasi ishte pjesë e EURO-s”, përfundoi tekniku holandez.