Para pesë muajve mediumi Tv Arbëria i kishte kushtuar një analizë efektive negative që do të mund të prodhonte vendimi i paralajmëruar nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave edhe për shtetasit e Kosovës që mbartin “pasaporta të Republikës së Serbisë, por të cilët banojnë territorin e Kosovës”. Pa shkuar shumë kohë, patën reaguar edhe disa organizata të shoqërisë civile si dhe zv. kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, duke dërguar një letër proteste ndaj Bashkimit Evropian për këtë mundësi.
Pra, këtu duhet bërë e qartë se është fjala për ato dokumente udhëtimi që lëshohen nga disa zyre administrative ilegale që janë zhvendosur nga përfundimi luftës dhe që funksionojnë si të ashtuquajtura zyre për Kosovën. Këtu pra nuk është fjala për njohjen e dy shtetësisë së qytetarëve që mund të kenë dokumente të rregullta si të Republikës së Kosovës ashtu edhe të Republikës së Serbisë. Por, bëhet fjalë për administratën komunale të Prishtinës që operon në Beograd etj etj.
Sipas Komisionit Evropian ndalesat deri më tani që kanë ekzistuar për këto pasaporta kanë pasur të bëjnë me frikën e migrimit masiv të këtyre banorëve. Mirëpo, me hyrjen në fuqi të liberalizmit të vizave me 1 janar të vitit 2024 për të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk ekziston më ajo frikë, prandaj edhe atyre duhet t’ju njihet kjo e drejtë. Dhe sipas vendimit të deritanishëm “bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza”.
Ndërkohë, duke filluar nga sot ai paralajmërim është bërë realitet. Komisioni për Liri Qytetarë dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës. Dhe mjerisht ky vendim është marrë në një kohë kur Lista Serbe ka vendosur që të mos marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe. Po ashtu, i njëjti subjekt politik ka paralajmëruar se do ta bojkotojë regjistrimin e popullsisë.
Prandaj, vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është inkurajim për serbët e Kosovës që ta vazhdojnë bojkotimin e shtetit të Kosovës. Sepse nëse këto dokumente që lëshohen nga ato zyre ilegale nuk do te kishin vlerë ato do të shndërroheshin në disa bodrume koti, pa asnjë funksion publik, vetëm për plotësuar egon e disa burokratëve të mjerë që jetojnë ende në ëndrrat hegjemoniste të së kaluarës. Ndërkaq, nëse lëvizja e lirë e qytetarëve serbë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të kalonte nga Kosova, e jo nga ato zyre të errëta ilegale të strukturave paralele serbe, do të shtohej presioni mbi ta që t’i respektojnë dokumentet identifikuese të shtetit të Kosovës.
Me këtë vendim paradoksal BE-ja, sot e transmetojë mesazhin se banorët serbë nuk kanë nevojë të identifikohen me shtetin e Kosovës. Dhe në vend të integrimit të tyre e inkurajon kontestimin dhe mosrespektimin e institucioneve legjitime banorë të të cilit shtet janë. Kjo qasje është një goditje shtesë ndaj Kosovës pikërisht nga lehtësuesi dhe ndërmjetësuesi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
/TV Arbëria