Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të mërkurën se aleatët e NATO-s duhet të heqin kufizimet mes tyre në bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes, duke kërkuar që Ankaraja të përfshihet në disa iniciativa evropiane të sigurisë.
“Kufizimet mes aleatëve në bashkëpunimin e mbrojtjes, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen”, tha Erdogan gjatë hapjes së samitit të liderëve të NATO-s në Ankara.
Ai shtoi se, në një kohë kur është i mundur një model bashkëpunimi i bazuar në arsye dhe mirëkuptim, përjashtimi i aleatëve që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian do të krijonte “ndarje artificiale” në Evropë.
Të martën, presidenti amerikan Donald Trump, i ulur pranë Erdoganit, tha se do të heqë sanksionet ndaj Turqisë dhe do të marrë një vendim për një shitje të mundshme të avionëve luftarakë F-35 për Ankaranë. Megjithatë, të dyja vendimet pritet të përballen me kundërshtime në Kongresin amerikan.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe është shndërruar në një zhvillues dhe eksportues të rëndësishëm të armëve. Edhe pse Ankaraja ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të marrë pjesë në nisma evropiane të sigurisë, si skema e financimit SAFE, deri tani është mbajtur larg për shkak të dallimeve politike dhe të politikave.
Erdogan tha se Turqia është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e NATO-s për shpenzime prej 5% të GDP-së për mbrojtje deri në vitin 2030 dhe se ka ndarë një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh për projektin e mbrojtjes ajrore “Kupola e Çeliktë” (Steel Dome)”, me synim forcimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s.
Ai shtoi se aleatët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e aleancës, pa cenuar unitetin e NATO-s, shkruan Reuters.