16 foshnja të shpëtuara nga rrënojat e tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë, ditën e hënë, janë transportuar në Ankara me avion presidencial.
Avioni presidencial i Erdogan transportoi foshnjat nga Kahramanmaras, një nga rajonet më të goditura nga tërmetet 7,8 rihter dhe 7,5 rihter të së hënës.
Avioni është vënë në gatishmëri për t’u përdorur për të transportuar edhe personat e plagosur rëndë nga tërmeti. 16 foshnjat u nxorën të gjalla nga rrënojat, ndërsa fati i prindërve të tyre nuk dihet. Nga Ankaraja, ato u transportuan në spitalin e qytetit Etlik.
Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë foshnjat që mbahen në krah nga vullnetarë, teksa i largohen të ftohtit ekstrem. Dy nga foshnjat ende nuk janë identifikuar, ndërsa 14 të tjera po merrnin ndihmën mjekësore në spitalin e Kahramanmaras kur ra tërmeti. Autoritetet lokale ende nuk kanë arritur të kontaktojnë me familjet e tyre.
Pasi ato mbërritën në spitalin e Etlik u vizituan nga Emine Erdogan, bashkëshortja e presidentit. /TV Arbëria