Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Enver Hoxhaj: 25 vjet nga rrëzimi i Millosheviqit, Serbia ende glorifikon regjimin kriminal

Enver Hoxhaj: 25 vjet nga rrëzimi i Millosheviqit, Serbia ende glorifikon regjimin kriminal

Sot shënohen 25 vjet nga rrëzimi i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një moment historik që shënoi fundin e një epoke të dhunshme dhe të errët në historinë e Ballkanit. Me këtë rast, deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka kujtuar pasojat shkatërruese të regjimit të Millosheviqit dhe ka kritikuar drejtimin aktual të Serbisë.

“Regjimi i Millosheviqit shkaktoi luftëra, gjenocid dhe shkatërrim në gjithë Ballkanin. Fundi i tij hapi një kapitull të ri për rajonin, por plagët që la pas ende nuk janë shëruar”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se Serbia sot udhëhiqet nga figura politike që ishin pjesë e regjimit të atëhershëm, duke e akuzuar Beogradin se vazhdon ta glorifikojë të kaluarën kriminale, në vend që të përballet me të.

“Sot Serbia po përpiqet të luajë rolin e satelitit të Rusisë në Ballkan dhe të sfidojë rendin euroatlantik”, ka shtuar ai.

Sipas Hoxhajt, përballë këtyre sfidave, Kosova duhet të qëndrojë e palëkundur në orientimin e saj perëndimor, duke forcuar shtetin, sigurinë dhe institucionet demokratike.

“Partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët evropianë është garancia e vetme për paqe, qëndrueshmëri dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në rendin e ri ndërkombëtar”, përfundon reagimi i Hoxhajt.