Enis Veliu ka reaguar ashpër ndaj ndikimit politik në tenderët publikë, duke e cilësuar prokurimin në Kosovë si të kapur nga politika. Sipas tij, tenderët e mëdhenj nuk fitohet përmes konkurrencës së ndershme, por janë të kurdisur nga politika lokale dhe qendrore, shkruan TV Arbëria.
Dy kompanitë, “Lika Trade” dhe “Lika Company”, kanë përfituar mbi 45 milionë euro nga kontrata publike në tri komuna të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): Deçan (17.2 milionë euro), Gjakovë (9 milionë euro) dhe Rahovec (20 milionë euro).
Veliu thekson se këto dy kompani kanë fituar tenderë vetëm në komunat e drejtuara nga AAK, ndërsa në komunat që udhëhoqen nga PDK, LDK ose NISMA nuk kanë pasur mundësi për të marrë kontrata. Ai e cilëson këtë si një sistem monopolist, ku tenderët janë shpërndarë sipas vijave partiake dhe jo në interes të qytetarëve. Ndërkohë, ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë mënyrën se si këto kompani kanë fituar tenderë për punë që më herët ishin kryer nga kompani të tjera, veçanërisht në Rahovec.
Reagimi i plotë:
Prokurimi i kapur politikisht, “Lika Trade” & “Lika Company”, i morri 46 milionë aty ku sundon AAK-ja
Ndikimi i politikës në tenderë publikë vazhdon të jetë i hapur dhe brutal. Tenderët e mëdhenj nuk fitohen me konkurrencë të ndershme, por kurdisen 100% nga politika lokale dhe qendrore. Fakti më i qartë: Në tri komunat ku Qeverisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dy kompanitë “Lika Trade” dhe “Lika Company” kanë marrë mbi 45 milionë euro kontrata publike.
Vetëm gjatë mandatit të fundit të kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj, këto dy kompani kanë përfituar 17.2 milionë euro tenderë.
Në komunën e Gjakovës, që drejtohet nga Ardian Gjini i AAK-së, kontratat arrijnë në rreth 9 milionë euro.
Ndërsa rekordi më i madh është në komunën e Rahovecit që drejtohet nga Smajl Latifi i AAK-së, ku vlera kalon 20 milionë euro. Në këtë komunë qysh i ka marrë këta tenderë kjo kompani për punë që me herët kanë qenë të kryera nga kompani tjera ish kanë e rrugës me sqaruar Prokuroria e shtetit.
Ndërkohë, aty ku qeverisin PDK-ja, NISMA-a apo LDK-ja, këto kompani thuajse nuk kanë qasje fare. Pyetja është e thjeshtë: pse “Lika Trade” e “Lika Company” nuk marrin tenderë në Prizren, Mitrovicë, Istog, Malishevë, Gjilan apo komuna të tjera?
Sepse tenderi në Kosovë nuk është proces i hapur e konkurrues, por monopol politik i atyre që janë në pushtet. Milionat ndahen si plaçkë, sipas vijave partiake, jo sipas interesit publik.
Ky është realiteti i hidhur i prokurimit publik: rrugët, shkollat, projektet e mëdha nuk janë për qytetarët, por për xhepat e afërmive të pushtetit.