Deputetja Duda Balje ka dalë haptas kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shfaqur publikisht qëndrimin e saj politik pa hezitim. Sipas reagimeve të fundit, pikërisht kjo qasje e drejtpërdrejtë ka nxitur, sipas kritikëve, përpjekje për ta larguar atë nga skena politike.
Sipas Enis Veliut, Balje nuk është përballur me debat politik, por me atë që ai e quan “inxhinieri të pushtetit”, përmes rezultateve zgjedhore të dyshimta dhe matematikës së kurdisur elektorale.
“Duda Balje nuk u fsheh, nuk u tut, nuk u shit. Dhe pikërisht për këtë arsye, pushteti ka vendosur t’ia ‘bëjë qaren’ në mënyrën më të ulët, duke tentuar ta eliminojë politikisht”, thuhet në reagim.
Si shembull konkret, Veliu përmend rezultatet në Shkollën Fillore “Zef Lush Marku”, në fshatin Velezhë të Komunës së Prizrenit. Sipas tij, ndonëse fshati është i banuar 100 për qind me popullatë shqiptare, koalicioni VAKAT — kundërshtar politik i Duda Baljes — ka marrë 85 vota.
“Kjo është një zonë ku ky koalicion nuk ka as bazë, as strukturë, as logjikë elektorale për një rezultat të tillë”, thekson Veliu, duke e cilësuar këtë rast si dëshmi të manipulimit të procesit zgjedhor.
Ai përfundon se kjo situatë nuk përfaqëson demokraci, por “inxhinieri të pushtetit”, duke bërë thirrje për reagim dhe veprim institucional, e jo vetëm për debat teorik.
/TV Arbëria