Shkruan: Afrim Kasolli
Këtë fundjave qëndroi për vizitë në vendin tonë zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Kjo është vizita e parë e një diplomati të këtij niveli të administratës Trump 2 si në Kosovë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai u takua me të gjithë liderët e partive kryesore politike parlamentare. Takimet u mbajtën në Ambasadën Amerikane. Mirëpo, deri më tani, e tëra çka dimë për përmbajtjen e asaj që është diskutuar mbeten vetëm komunikatat për media të atyre që kanë marr pjesë në këtë takim.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vënë theksin te marrëdhëniet “bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik”. Kryetari i PDK-së për “nevojën e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohën në qendër”, kurse sipas të deleguarës së LDK-së, deputetes Hykmete Bjarami, teme kryesore e bashkëbisedimit ka qenë “bllokada në Kuvendin e Kosovës dhe propozimi i kësaj partie për një qeveri gjithëpërfshirëse, me qëllim tejkalimin e saj. E, lideri i AAK-së, Ramush Haredinaj, e ka vënë në pah “rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë”.
Megjithatë, mbetet “enigmë sfinksi” se cili ka qenë qëndrimi i zyrtarit të lartë amerikan në raport me këto tema. Ende nuk kemi ndonjë prononcim specifik, sidomos për krizën e brendshme politike ashtu edhe për dialogun me Serbinë. Pra se a do vazhdohet me formatin e deri-tanishëm të dialogut të lehtësuar nga Brukseli, ku Prishtina dhe Beogradi janë zotuar për t’i zbatuar detyrimet që dalin nga Marrëveshje bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, apo do të kemi një aranzhman të ri diplomatik të drejtuar nga Shtëpia e Bardhë. Po ashtu, nuk ka informacione shtesë, se cili është qëndrimi i SHBA-ve, në raport me krizën e brendshme politike, a do të merr ky shtet një rol më pro aktiv në drejtim të tejkalimit të saj, ashtu siç ka vepruar tradicionalisht në raste të tilla? Apo vetëm do ta konsiderojë këtë paralizë si çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, ku partitë politikë duhet vetë që ta gjejnë rrugëzgjidhjen.
Ajo çka deri më tani mund të merret si qëndrim publik na ana amerikane për këto takime, mbetet njoftimi i Ambasadës, ku thuhet se e ngarkuara e SHBAv-vë Anu Prattipati, ka “pasur kënaqësinë të mirëpresë Zyrtarin e Lartë të Byrosë së Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, Brendan Hanrahan, në vizitën e tij të parë në Kosovë. Dhe se po presin me padurim një fundjavë produktive me takime dhe vizita për të forcuar prioritetet e SHBA-së për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe begatinë ekonomike”. Asgjë me shumë.