Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > ​Energji diellore për ngrohje të shtëpive, pritet të përfitojnë 38 mijë qytetarë

​Energji diellore për ngrohje të shtëpive, pritet të përfitojnë 38 mijë qytetarë

Qeveria ka nënshkruar marrëveshjet në kuadër të projektit “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”.

Projekti në tërësi ka vlerën mbi 80 milionë euro, për çka është konsideruar unik në rajon. Me këtë projekt u tha se do u mundësohet edhe 38 mijë qytetarëve qasja në ngrohje qendrore dhe se do të jetë në harmoni me agjendën e gjelbër të BE-së.

Projekti i ngrohjes qendrore parasheh ndërtimin e një impianti diellor, i cili shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore, e po ashtu shton kapacitetin e ngrohjes përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 MW të tjerë. Kjo teknologji inovative mundëson mbledhjen e energjisë diellore gjatë verës, ruajtjen e saj, e më pas përdorimin e energjisë së ruajtur për ngrohje qendrore gjatë dimrit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se janë dy marrëveshje të financimit në kuadër të këtij projekti të rëndësishëm për Kosovën. Para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ai theksoi se projekti për ngrohjen qendrore diellore ka dy marrëveshje të granteve dhe një marrëveshje të kredisë.

Murati: Projekti në tërësi shkon në vlerën mbi 80 milionë euro

“Ky projekt është i pari në rajon, i cili përdor në masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive dhe si i tillë dëshmon përkushtimin e qeverisë për ngritjen e kapaciteteve të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të BE-së dhe nën kornizën e strategjisë për energjinë të cilën sapo e kemi miratuar edhe në qeveri. Projekti në tërësi shkon në vlerën mbi 80 milionë euro dhe si qeveri kemi arritur që me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes KFË të sigurojmë një grant me vlerë prej 31,6 milionë eurosh nga korniza e Ballkanit Perëndimor investive, po ashtu kemi siguruar një grant prej 21,5 milionë euro dhe pjesa tjetër që po ashtu do ta nënshkruajmë sot është kredi me kushte të favorshme nga BERZh”, ka thënë Murati.

Më tej, ai theksoi se ky projekt është unik dhe u mundëson edhe 38 mijë qytetarëve qasje në ngrohje qendrore.

Murati: Është ngrohje diellore që përdoret për ngrohje qendrore

“Projekti si i tillë është unik, paraqet një nder kapacitetet më te mëdha në vend dhe rajon, por edhe në Evropë sa i përket teknologjisë që përdoret, pra është ngrohje diellore, e cila përdoret dhe ruhet për tu përdorur pastaj për sistemin e ngrohjes qendrore. Projekti përveç instalimit të kapacitetit të ri gjenerik, parasheh edhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, duke siguruar qasje edhe për 38 mijë qytetarë që më parë nuk kanë pasur qasje në ngrohje qendrore”, ka thënë Murati.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se Kosova ka potencial të madh për energjinë dhe është me rëndësi që të ketë alternativa të tjera për energji termike.

Szunyog: E rëndësishme të kemi energji të qëndrueshme dhe të gjelbër

“Është një moment shumë i rëndësishëm për ne për të pasur një energji të qëndrueshme dhe të gjelbër. Me mbështetjen e këtij projekti me 31,5 milionë, teknologjia më e fundit ka mundësuar që gjatë verës të absorbohet energjia dhe në mënyrë që të sigurohet ngrohje qendrore në Prishtinë. 38 mijë qytetarë do të përfitojnë prej furnizimit me energji të gjelbër dhe kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e ndotjes së ambientit. BE mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Po ashtu ne po mundësojmë që të pasurojmë furnizimin me energjinë, sidomos që tani ka ndikuar si pasojë e invazionit të Rusisë. Këto projekte do të kenë ndikim afatgjatë dhe po ashtu do të 75 milionë mbështetje buxhetore për Kosovën për të zbutur krizën e menjëhershme të energjisë”, ka shtuar ai.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad u shpreh se duhet të gjenden burime të tjera të energjisë.

Conrad: Kriza energjetike dëshmon se duhet të gjenden burime alternative

“Ky është lajm shumë i mirë dhe një hap përpara. Dua të përgëzoj të gjithë partnerët kosovarë, gjermanë e ndërkombëtarë për këtë bashkëpunim. Gjermania është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj për kalimin e saj në energji të qëndrueshme dhe në bazë të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ky është edhe angazhimi ynë më i madh i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën në veçanti. Gjermania ka luajtur rol kryesor në zhvillimin e sektorit të energjisë në dy dekadat e fundit në zhvillimin e energjisë dhe sistemit të transmisionit për integrimin në tregun evropian. Përvoja me krizën e energjisë ka treguar se është me rëndësi të madhe që të përshpejtohet gjetja e burimeve të tjera”, u shpreh ai.

Edhe shefi i Energjisë dhe Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore në Turqi, (KFW), Pablo Obrador Alvares ka thënë se ky në tri vitet e fundit kane punuar me BERZh-in për këtë projekt dhe është me rëndësi për kryeqytetin, meqë po sjell teknologji të re në vend.

/TV Arbëria

Powered by WordPress