Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Ëndrra e përhershme e sundimtareve mbi sigurimin e pavdekësisë

Ëndrra e përhershme e sundimtareve mbi sigurimin e pavdekësisë

Shkruan: Afrim Kasolli

Presidentit kinez XI Jinping dhe presidentit rus, Vladimir Putin, krahas diskutimeve mbi ndërtimin e një rendi alternativ ndërkombëtar me qëllim minimin e atij të promovuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, gjatë takimeve që kishin ndërmjet vete në Kinë, janë dëgjuar duke diskutuar për një temë krejtësisht apolitike. Për mundësinë e zgjatimit të jetës, madje deri në infinit. Në bisedë e sipër, Vladimir Putin derisa ishte duke ecur së bashku me liderin kinez dhe atë të Kores së Veriut, Kim Jong Unm në Paradën Ushtarake, sugjeronte se edhe jeta e përjetshme mund të jetë e arritshme, falë shpikjeve shkencore në bioteknologji.

Ajo që e veçon këtë diskutim, ka të bëjë me faktin se të njëjtit liderë me theks te veçantë ai rus, (por pa përjashtuar as atë korean) që në karrierën e tij 25 vjeçare në krye të Kremlinit, nuk ka nguruar t’i qojë të tjerët drejt vdekjes, duke filluar që nga inkursioni i tij brutal në Ceceni e deri tek ky i fundit në Ukrainë, për shkak të fantazive të tij imperiale me qëllim që të mbahet mend në kujtesën kolektive të popullit rus si heroi më i madh i saj. Kurse në anën tjetër po ashtu është i pushtuar nga ambicia absolute e sigurimit të përjetësisë për vete. Pra këto synime kontradiktore në shikim të parë janë të lidhura ndërmjet tyre. Ku prodhimi masiv i vdekjeve të tjerëve përdoret si mjet për pavdekësinë personale historike dhe përjetësinë biologjike me anë të shkencës.

Siç dihet tensioni ndërmjet pavdekësisë dhe përjetësisë qëndron në origjinë të traditës së këtij civilizimi. Ai fillon me Akilin që për ta siguruar të parën është i detyruar ta sakrifikojë të dytën. Tema e përjetësisë zuri vend në traditën filozofike platonike, sipas së cilës vetëm idetë janë të përjetshme, kurse çdo gjë tjetër është kalimtare. Ndërkaq, në traditën e religjioneve monoteiste vetëm Zoti është i përjetshëm, kurse çdo qenie njerëzore e lindur në këtë botë e ka të garantuar pavdekësinë e shpirtit me kalimin në botën tjetër.

Koncpetualisht, kjo perspektive dallon nga mënyra se si romakët si “populli me politik që kemi njohur” e kanë përshkruar relacionin ndërmjet vdekjes dhe jetës duke i përdorur dy shprehje emblematike. Në këtë kontekst, fjala “të ‘jetosh’ dhe të ‘jesh në mes njerëzve’ (inter homines esse) sipas përfytyrimeve të kësaj bote kishte karakter politik, kurse shprehja ‘të vdesësh’ apo të ‘pushosh të jesh mes njerëzve’ (inter hommines esse desinere)”, ta largohesh nga bota e të gjallëve dhe pluralitetit njerëzor.

Është pikërisht kjo botë, që sipas Hanna Arendit përbën një kusht të domosdoshëm për shfaqjen e aksionit politik. Kurse për grekët marrëdhënia në mes“ të drejtës absolute që ushtron natyra mbi njerëzit”, siç e quante ndryshe Hegeli vdekjen dhe jetës politike, po ashtu formonte një dyzim të çuditshëm. Ky popull me anë të polisit (qytet-shtet), tentonte ta sfidonte fatalitetin e “hiçit të qenies” që lidhet me vdekjen dhe të mos mbulohej përjetësisht nga errësira që e shkakton “pluhuri i harresës”. Kjo edhe ishte arsyeja që qytetarët e tij e projektuan një hapësirë të përbashkët publike. Dhe e imagjinuan si medium ku do të demonstrohej prezenca e tyre jo vetëm si specie, por edhe si individë para tjerëve.

Kjo trashëgimi na e bënë të qartë se nuk mund të ketë jetë pa prezencën plurale të të tjerëve. Dhe një fakt i tillë më shumë se asgjë tjetër i shpërfaq dëshirat morbide të liderëve të sipër cekur. Sepse të njëjtit herë me shumë e herë më pak me metodat e tyre janë angazhuar ta shkatërrojnë atë kusht njerëzor që e bënë të mundur jetën në kuptimin politik, dhe jo vetëm biologjik, nga patosi për sundim absolut.

Sidoqoftë, frika nga vdekja nuk është e re për shumë sundimtarë. Shumë të tillë kishin jetuar me ankthin, traumën dhe neurozat e këtij fataliteti biologjik. Fakti se kishin arritur t’i nënshtronin të tjerët, por ishin të pafuqishëm përballë fundit të tyre të domosdoshëm e kishte ushqyer egërsinë e tyre. Madje sa më shumë i afroheshin asaj aq me monstruoz behej sundimit i tyre.

Në këtë kontekst ,biseda e sipër cekur për sigurimin e përjetësisë nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez XI Jinping, nw prezencw tw atij korean, Kim Jong Unm, nëse për asgjë tjetër tregon edhe për rrezikun që do te vjen duke u shtuar për njerëzimin sundimi i tyre. /TV Arbëria