Në një zhvillim të rëndësishëm, “ESPN Brazil” raporton se Endricku ka nisur bisedimet me Milanin për një transferim të mundshëm në janar nga Real Madridi.
Sulmuesi 20-vjeçar e ka pasur të vështirë të sigurojë minuta këtë sezon nën drejtimin e Jose Mourinhos, gjë që ka nxitur spekulimet rreth të ardhmes së tij. Tashmë duket se talenti brazilian po e shqyrton mundësinë e një largimi drejt Italisë.
Sipas raportimit, Endricku tashmë ka nisur negociatat me Milanin për një transferim të mundshëm në fillim të vitit 2027.
Sulmuesi i ri ishte larguar nga Real Madridi në formë huazimi në janar të këtij viti, duke kaluar një periudhë mjaft produktive te Olympique Lyon.
Megjithatë, kësaj radhe, nëse do të largohej nga “Santiago Bernabeu”, kjo nuk do të ndodhte në formë huazimi, por përmes një transferimi të përhershëm.
Në fakt, në rast se Endricku vendos të largohet nga klubi madrilen, Real Madridi synon ta shesë përfundimisht dhe jo ta dërgojë sërish në një huazim të përkohshëm.
Raportimi tutje pretendon se në rast të shitjes së tij, “Los Blancos” do të kërkonin rreth 70 milionë euro për kartonin e sulmuesit brazilian.
Për më tepër, madrilenët synojnë të përfshijnë në marrëveshje edhe një klauzolë riblerjeje në vlerë prej 80 milionë eurosh, në mënyrë që të kenë mundësinë ta rikthejnë Endrickun në “Bernabeu” në të ardhmen.
Pavarësisht spekulimeve gjithnjë e më të mëdha rreth të ardhmes së tij, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, vazhdon të insistojë se Endrick mbetet një futbollist i rëndësishëm për të dhe se do të qëndrojë në klub.
Vetëm sot, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Celta Vigon, trajneri portugez foli për situatën e talentit brazilian.
“Ai është shumë i lumtur këtu. Për mua, Real Madridi është më i rëndësishëm se Endrick. E dua shumë dhe kam një dashuri të madhe për të. Kam nevojë për të, tashmë e keni përgjigjen”, deklaroi Mourinho.
“Sa u përket klubeve dhe agjentëve, pastaj Real Madridi mund të vendosë diçka ndryshe dhe ne duhet ta respektojmë atë vendim. Por unë dhe Real Madridi e dimë se ai është i rëndësishëm”, shtoi trajneri portugez.
Nga ana tjetër, edhe vetë Endrick ka deklaruar vazhdimisht se është shumë i lumtur te Real Madridi dhe se do të dëshironte të qëndronte në klub për një kohë të gjatë.
Megjithatë, duke pasur parasysh vështirësitë për të siguruar minuta të mjaftueshme këtë sezon, braziliani mund të vendosë të largohet që në afatin kalimtar të janarit.