Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > “Enciklopedia imagjinare”, libri më i ri i autorit Bajram Kosumi

“Enciklopedia imagjinare”, libri më i ri i autorit Bajram Kosumi

Sot doli nga shtypi libri më i ri i autorit Bajram Kosumi, “Enciklopedia imagjinare”, botim i dy shtëpive botuese Artini dhe Toena.

Ky libër promovohet më 16 shtator, prej orës 13:00 në stendën e Toenës në panairin e librit në Tiranë.

Autori i “Enciklopedia imagjinare/Postroman”, ka njoftuar se filloi të shkruajë shkronjat e para të këtij libri në qelitë e Burgut të Nishit gjatë viteve 1985-1986 dhe e përfundoi në vitin 2022, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Botuesit, Artini dhe Toena, në vlerësimin e dhënë për librin konstatojnë se “Enciklopedia imagjinare/Postroman” është eksperimenti më i madh me letërsinë.

Sipas botuesve, qysh në titull shfaqet elementi shkencor (enciklopedia) dhe arë letrar (imagjinatën).

“Mbiemërimi postroman është vula e këtij eksperimenti dhe e vendos Enciklopedinë imagjinare në hierarkinë e teksteve letrare”, shkruajnë më tej dy botuesit, njëri i Prishtinës e tjetri i Tiranës.

Të gjitha ngjarjet zhvillohen në një Ishull të izoluar, i cili është i vendosur në një shkëmb të lartë, me shtëpi të vendosur në maje, i rrethuar me ujë. Ky vendbanim është i ilustruar edhe në ballinën e librit, ku është vizatuar vendbanimi i ishullorëve.

“Po kush janë ishullorët? Mund të jenë shqiptarët e një rkahine të bogël e të izoluar që quhet Galab, me kryeqytetin Gumur. Mund të jenë gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tjerë pellazgjikë: grekët, malazezët, maqedonët, dalmatët dhe boshnjakët…”, shkruan autori në parathënie të librit.

Tematikat e motivet, personazhet e ngjarjet nisen nga një sfond historik dhe përfundojnë në një realitet imagjinar për situatat e skajshme si burgu, lufta, diktatura, vdekja, dashuria, konfliktet nacionale, politike, fetare, katastrofat etj.

Personazhet e librit janë të shumë strukturave sociale dhe të kohëve të ndryshme, që nga antikiteti e deri te vitet e sotme.

Libri “Enciklopedia imagjinare/Postroman” fillon me një parathënie të autorit ku shpjegon idenë filozofike të librit dhe vazhdon me tregimet për njerëzit, mendimet, veprimet, proceset dhe shfaqjet psikologjike, sociale e historike në jetën e ishullarëve.

Libri ka gjithsej 772 faqe.

/TV Arbëria

 

Themes by WordPress