Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg skadon më 30 shtator të këtij viti dhe sipas mediave suedeze, në krye të aleancës më të madhe në botë mund të vijë një udhëheqës nga Ballkani. Sipas raporteve në garë për këtë post është edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.
Emri pasuesit të Stoltenberg do të bëhet i ditur nga samiti i NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius më 11 dhe 12 korrik. Javët e fundit mediat perëndimore po spekulojnë gjithnjë e më shpesh për kandidatët për pasardhës të Jens Stoltenberg dhe në këtë spekulim u bashkuan edhe dy gazetat e përditshme suedeze, socialdemokratja “Aftonbladet” dhe konservatorja “Svenska dagbladet”.
Sipas shkrimit të tyre, një nga kandidatët më seriozë është kryeministri kroat Andrej Plenkoviq. “Aftonbladet” shkruan se vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore dhe Ballkani janë ndjerë prej kohësh të neglizhuara në shpërndarjen e detyrave kyçe në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Gazeta suedeze thekson se kjo hap hapësirë për presidentin aktual rumun Klaus Iohannis, kryeministrin e Estonisë, Kaya Kalas dhe Andrej Plenkoviq.
Megjithatë, mandati presidencial i Iohannis skadon në nëntor 2024 dhe Kaja Kalas konsiderohet tepër armiqësore ndaj Rusisë, gjë që e vendos Plenkoviqin në pozitë të favorshme.
Mes kandidatëve është edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte ministre gjermane e Mbrojtjes për gjashtë vjet, por mandati i saj përfundon në fund të vitit 2024.
Thuhet se edhe ministrja aktuale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbock kërkon këtë post, por është e vështirë të besohet se aleatët do të pranonin që NATO dhe BE të drejtohen nga dy gjermane.
/TV Arbëria