Prishtina ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e nigerianit Emmanuel Egbo si trajner të ri të ekipit.
Sot (e enjte) gjatë ditës, Prishtina njoftoi ndarjen me Debatik Currit në një marrëveshje të dyanshme.
Është vet faqja e klubit kryeqytetas që ka konfirmuar emërimin e Egbos në krye të ekipit për sa paku deri në fund të sezonit 2023/24.
“Ish-trajneri kampion me KF Tirana 2019/20, Emmanuel Egbo, 50-vjeçar nga Nigeria me shtetësi shqiptare, është emëruar kryetrajner i ri i skuadrës sonë”.
“Egbo ishte portier i shumë skuadrave, ndër to edhe Bylys e Tirana, kurse më vonë edhe si trajner i portierëve dhe kryetrajner i të dy këtyre skuadrave.
“Egbos në punën e tij në ekipin e Prishtinës do t’i ndihmoj nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
I lumtur me aventurën e re te klubi kryeqytetas është shprehur edhe vet Egbo gjatë prononcimit për faqen zyrtare të prishtinasve.
“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës”, ka thënë fillimisht Egbo.
“Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin”.
“Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”, përfundoi nigeriani.
/TV Arbëria