Futbollisti i njohur, Elvis Rexhbeçaj, ka nënshkruar sot për Kosovën në prani të përfaqësuesit të Federatës së Futbollit të Kosovës për Gjermani, Fekmi Kongjeli, vëllait të tij Blendard Rexhbeçaj, i cili njëherësh është menaxheri i tij, si dhe biznesmenit Afrim Osmanaj.
Letra konfirmuese u nënshkrua me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili u shpreh shumë i kënaqur me këtë prurje të re tek Dardanët.
Ademi theksoi rëndësinë e këtij transferimi tek Kosova, duke vlerësuar lart profilin dhe aftësitë e Rexhbeçaj, të cilat do të jenë një shtesë e çmuar për ekipin e drejtuar nga Franco Foda.
Edhe vetë futbollisti, Elvis Rexhbeçaj, shprehu entuziazmin e tij për këtë vendim të rëndësishëm në karrierën e tij. Ai falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Agim Ademin dhe Fekmi Kongjelin, për përpjekjet dhe kontaktet e vazhdueshme ndër vite.
“Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua”.
“Pres me padurim të bashkohem me shokët dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj.
Kjo prurje e re është një hap i madh, duke shtuar një tjetër lojtar me përvojë dhe aftësi të larta.
Tifozët ‘Dardanë’t dhe gjithë komuniteti i futbollit presin me padurim paraqitjet e Rexhbeçaj në ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve.