Elmedina Ballazhi ka reaguar lidhur me largimin e fotografisë së Deklaratës së Pavarësisë nga hapësirat e Presidencës së Kosovës dhe vendosjen e një simboli tjetër në vend të saj.
Në reagimin e saj, Ballazhi ka kritikuar presidenten, duke thënë se Presidenca duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe vazhdimësinë shtetërore, e jo të shërbejë për promovimin e bindjeve ideologjike apo interpretimeve personale të historisë.
Ajo ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Hagë, duke theksuar rolin e tij në procesin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Ballazhi ka sqaruar se nuk e kundërshton Filigranin si art dhe trashëgimi kulturore, por ka shprehur pakënaqësi për mesazhin që, sipas saj, përcillet me zëvendësimin e një simboli të Pavarësisë pa një shpjegim bindës.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje presidentes që të mos e trajtojë historinë e Kosovës si çështje që mund të ndryshohet sipas vullnetit të pushtetit, duke përfunduar me mesazhin: “Shteti im ka emër, ka histori, ka sakrificë, ka identitet dhe ka gjak. Quhet Republika e Kosovës!”