Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Elisa Spiropali takon Hashim Thaçin në Hagë: “Lufta e drejtë e UÇK-së nuk mund të njolloset”

Elisa Spiropali takon Hashim Thaçin në Hagë: “Lufta e drejtë e UÇK-së nuk mund të njolloset”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Pas takimit, Spiropali deklaroi se Thaçin e gjeti në gjendje të mirë dhe të informuar për zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi, dhe përmes tij i dërgova të falat e mia por edhe të Qeverisë Shqiptare, dhe besoj që të gjithë popullit shqiptar, edhe të tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit,” tha ajo.

“Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë, ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë,” shtoi Spiropali.

Ministrja shqiptare theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e ndershme, duke nënvizuar se ajo nuk mund të njolloset apo baltoset.

“I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Rama për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike, e jo padrejtësi historike,” tha ajo.

Në përmbyllje, Spiropali u shpreh se themelimi i Gjykatës Speciale nga vetë Kosova ishte një akt pjekurie shtetërore, duke uruar që ky vendim të mos kthehet në të kundërtën e tij.

“Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar Dhomat e Specializuara dhe Gjykatën Speciale të mos kthehet në të kundërtën e vet,” u shpreh Spiropali.