Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Elezi me njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës që regjistrohen si votues jashtë vendit

Elezi me njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës që regjistrohen si votues jashtë vendit

 

Të gjithë shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës në Zgjedhjet për Kuvend, do të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Por, në rast se ndonjë prej tyre ndërron mendje edhe pasi është regjistruar si votues jashtë vendit dhe kërkon që të votojë fizikisht në vendvotimin e tij në Kosovë më 9 shkurt 2025, KQZ do t’ia mundësojë rikthimin në listën votuese brenda Kosovës deri më 27 dhjetor 2024.

Këto informacione i ka bërë të ditura për eo, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa është duke vazhduar periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

Sipas tij, paragrafi 9 i nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ka paraparë që KQZ secilin votues të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës.

Është detyrim ligjor për KQZ-në që secilin votues i cili regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion ne ua transmetojmë individualisht çdo shtetasi që aplikon dhe regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, qoftë për të votuar në përfaqësi diplomatike apo përmes postës”, tha Elezi.

Më tej, sipas Elezit, KQZ i ka dhënë zgjidhje edhe rasteve kur ndonjë shtetas ndërron mendje edhe pasi është regjistruar dhe kërkon që të votojë fizikisht në vendvotimin e tij në Kosovë.

“Mund të ndodh që ndonjë shtetas i cili pasi është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të kërkojë të çregjistrohet nga kjo mënyrë votimi dhe të kthehet në Listën Votuese brenda Kosovës për të votuar fizikisht në vendvotim. Kësaj situate, KQZ i ka dhënë zgjidhje me anë të Rregullores Zgjedhore për Votimin Jashtë Kosovës. Pra, votuesi i regjistruar për votim jashtë Kosovës, i cili kërkon të kthehet në listën votuese brenda Kosovës, ka kohë të paraqesë kërkesën e tij deri në 24 orë para përfundimit të periudhës së kundërshtimit, në këtë proces zgjedhor deri më 27 dhjetor 2024”, njoftoi Elezi.

Që nga 29 gushti është duke u zhvilluar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;

3.  duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Powered by WordPress