Policia e Vlorës ofron 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion që do të ndihmojë në identifikimin e autorit ose autorëve të ekzekutimit me snajper të Gëzim Sinomatit.
“Lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 07.01.2024, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi G. S., 23 vjeç, grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet e thelluara dhe kontrollet e pandërprera për zbardhjen dhe dokumentimin e saj. Në këtë kuadër, DVP Vlorë fton qytetarët që të japin informacion për këtë ngjarje dhe ofron shpërblimin 30 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694173022, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, bën me dije policia.
23-vjeçari u ekzekutua mbrëmjen e 7 janarit 2024 në lagjen “Hajro Çakërri” afër Poliklinikës në qytetin bregdetar.
Mbi 20 persona janë shoqëruar aktualisht por deri më tani asnjë urdhër ndalimi nuk është konfirmuar nga blutë e Vlorës.
Grupi hetimor ka ndarë detaje mbi armën e krimit, të dala nga ekzaminimi balistik i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe asaj në trupin e viktimës. Ekzekutimi është kryer me një armë snajper të kalibrit 7 mm dhe precision deri në 1 mijë metra.
Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatit, babait të viktimës dhe aktivitetin e tij të pas viteve 97-të.
Por autoritet nuk përjashtojnë as vrasjen me motive të konflikteve të kohëve të fundit në Belgjikë për një sasi të vjedhur të kokainës, ku rezultojnë të vrarë dy persona gjatë muajve të fundit./euronews