“Qeveria në Prishtinë, e cila mbrohet nga Bashkimi Evropian, vazhdon të keqtrajtojë sistematikisht serbët në Kosovë”, ka deklaruar përfaqësuesi francez nga partia ekstremiste “Patriotët për Evropën”, Thierry Mariani në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Mariani ka pretenduar se Albin Kurti “vazhdon të bëjë spastrim etnik ndaj popullatës serbe”.
Ai ka përsëritur pjesë nga propaganda e përditshme serbe kundër Kosovës se “ka represion të përgjithshëm dhe se për këtë 15 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova gjatë vitit të kaluar”, transmeton Paparaci.
Mariani gjithashtu ka përsëritur se në Kosovë është ndaluar përdorimi i dinarit të Serbisë, gjë që “kërcënon pagesën e pagave dhe pensioneve”, si dhe se përbërja etnike e policisë është pothuajse ekskluzivisht shqiptare, pa e përmendur se me urdhër të liderit suprem serb Aleksandar Vuçiq, pjesëtarët serb të Policisë së Kosovës i braktisën vendet e tyre të punës.
Ai ka pretenduar se 880 milionë euro të paralajmëruara nga BE-ja për Kosovën “do të përdoren për represion shtesë ndaj serbëve”.