Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ekspozimi para portave të Hagës nuk është besnikëri – është shfrytëzim politik i sakrificës

Ekspozimi para portave të Hagës nuk është besnikëri – është shfrytëzim politik i sakrificës

Shkruan: Basri Beka

Pamjet e ekspozimit para portave të burgut në Hagë nga eksponentë politikë të PDK-së nuk janë dëshmi e besnikërisë ndaj krerëve të UÇK-së – përkundrazi, për shumë qytetarë ato po duken si një ritual hipokrizie politike.
Jam i bindur se një pjesë e madhe e atyre që sot fotografohen e pozicionohen para dyerve të burgut, në heshtje luten që ata burra të mos dalin kurrë nga qelia. Sepse për aq kohë sa ata mbeten atje, emrat e tyre vazhdojnë të përdoren si kapital politik, si burim votash, pushteti dhe legjitimiteti.
Nëse vërtet i konsideroni heronj të Kosovës, atëherë pyetja është: çfarë keni bërë realisht për ta?
Kur dolën qindra pretendime, raporte dhe shqetësime publike për mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, ku ishin iniciativat ligjore? Ku ishin angazhimet serioze ndërkombëtare? Ku ishte bashkëpunimi me organizata të drejtësisë në Kosovë, Evropë e SHBA për të ngritur shqetësimet për standardet e procesit?
Sepse të bësh fotografi para burgut nuk është mbështetje. Të marrësh emocionin e qytetarëve dhe ta kthesh në marketing politik nuk është respekt. Të flasësh në emër të luftës ndërsa nuk ndërton asnjë mekanizëm konkret mbështetjeje – është përfitim.
Heronjtë nuk mbrohen me poza. Mbrohen me veprim, me angazhim, me përgjegjësi dhe me guxim politik.
Ata që e përdorin sakrificën e tjetrit për karrierë, duhen refuzuar politikisht – jo duartrokitur.