Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndihma në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, veprën penale “Kanosja”, dhe veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
B.K akuzohet se më 23 prill 2024 ka rrezikuar jetën e njerëzve në një lokal duke i gjuajtur me eksploziv.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K, me datë 23 prill 2024, rreth orës 1:10, në një lokal në Pejë, duke gjuajtur eksplozivë dhe me veprimet e tij të rrezikshme ndaj lokali, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar dëme materiale, derisa i pandehuri paraprakisht ishte furnizuar në pompë të derivateve prej 1.5 litra dhe me të njëjtën e kishte hedhur në drejtim të lokalit duke ia vënë zjarrin.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
B.K po ashtu akuzohet për kanosje të një zyrtari policor, teksa po bartej për në stacion.
“Gjithashtu, i pandehuri B.K, akuzohet edhe për veprën penale “Kanosja”, përderisa ishte duke u transportuar në stacionin policor, ka kanosur zyrtarin policor me fjalët “a e desh uniformën ti, shihemi pa uniforme, e sheh ti kush jam unë Peja është e vogël”, duke vazhduar me fjalë kanosëse edhe në stacionin policor ndaj zyrtarit policor me fjalët “pse po bëhesh si polici Triumf Riza, a e din se fati i tij te pret edhe ty”.”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj disa personave tjerë, të akuzuar për ndihmë për të pandehurin.
“Në aktakuzën e ngritur nga prokurori i shteti, akuzohen edhe tre të pandehurit M.E, D.B dhe L.A, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar të kryhet vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” në lokalin i cili ishte cak i të pandehurve.”, thuhet në njoftim.
Aktakuzë është ngritur edhe për 6 të pandehur, pasi sipas Prokurorisë, të njëjtit kanë grushtuar e shkelmuar personat që kanë shkaktuar rrezikun në lokal.
“Gjashtë të pandehurit, A.R, A.M, T.M, E.B, A.K dhe Y.D, në bashkëkryerje natën kritike, pasi gjuhet eksplozivi në lokal nga i pandehuri, shkojnë tek të pandehurit, këtë rast të dëmtuarit dhe i grushtojnë e i shkelmojnë duke ju shkaktuar lëndime, për çka akuzohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.”, thuhet në njoftim.