Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në rrugën magjistrale Kaçanik–Ferizaj, në afërsi të një pompe të derivateve në fshatin Nikaj.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se një person ka mbetur i lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fabrikën për mbushje të bombolave të oksigjenit.
“Sot rreth orës 11:40 jemi njoftuar se në afërsi të një pompe të derivateve në rrugën magjistrale Kaçanik–Ferizaj, në fshatin Nikaj ka ndodhur një eksplodim, dyshohet bombol e gazit. Janë njoftuar edhe shërbimet emergjente mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Veseli.
Personi i lënduar është dërguar në QKUK në Prishtinë pas marrjes së ndihmës së parë në Kaçanik. Policia dhe ekipet hetimore ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i shtetit për veprimet e mëtejshme hetimore.