Rudina Jasini, juristja e cila është edhe pjesë e grupit mbrojtës në çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë, beson se në fillim të vitit 2026 do të ketë një verdikt për këtë rast.
“Besoj në fillim të vitit që vjen”, tha ajo në “Public Square” të Ditmir Bushatit, kur u pyet se kur mund të shpallet aktgjykimi.
Ligjëruesja seniore e Universitetit të Oxfordit nuk ka dyshim se “hapësira shumë e madhe” që po u jepet gjyqtarëve të kësaj gjykate, do t’i sjell pasoja “jo vetëm Kosovës”.
Jasini u shpreh e bindur se vendimet që do të merren “pa diskutim që ngjyrosin veprimtarinë e luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe të pavarësisë së Kosovës”.
Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare penale dhe të drejtave të njeriut kishte punuar si avokate edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të OKB-së për ish-Jugosllavinë në Hagë, në ekipin mbrojtës në rastin ndaj ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj dhe të tjerëve.