Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Eksperti i sigurisë paralajmëron: Tensionet në veri mund të jenë të larta, procesi i dorëzimit duhet menaxhuar me kujdes ekstrem

Eksperti i sigurisë paralajmëron: Tensionet në veri mund të jenë të larta, procesi i dorëzimit duhet menaxhuar me kujdes ekstrem

Këtë fundjavë, kryetarët shqiptarë në komunat veriore të Kosovës pritet t’ua dorëzojnë zyrtarisht detyrat kryetarëve të sapozgjedhur nga Lista Serbe. Procesi po zhvillohet në një klimë të ndjeshme politike dhe të sigurisë, ndërsa shqetësimet për mundësinë e keqpërdorimit të dokumenteve dhe vendimeve të deritanishme po rriten.

Sipas kryetarëve aktualë, ekzistojnë shumë dokumente, vendime, tendera dhe emërime, të cilat, nëse nuk dorëzohen me transparencë të plotë, “mund të keqpërdoren” nga udhëheqja e re. Ata kërkojnë që dorëzimi i dokumentacionit të bëhet në mënyrë të dokumentuar, madje edhe me audio e video, dhe në prani të faktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që procesi të jetë i mbrojtur nga manipulimet.

Për këtë situatë, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një deklaratë për TV Arberia, paralajmëroi rritje të mundshme të tensioneve dhe theksoi domosdoshmërinë e menaxhimit profesional të procesit.

Tensionet mund të jenë të pranishme, madje në nivel të lartë, veçanërisht në ditët e para pas dorëzimit të mandatit”.

Berisha u shpreh se mungesa e një strategjie paraprake për menaxhimin e situatës ka rritur rrezikun e përshkallëzimit.

Mendoj se është dashur që këtij procesi t’i paraprijë një plan strategjik me qëllim të menaxhimit korrekt dhe profesional, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe të mos lejojë përshkallëzim që mund të shpiente në konflikt më serioz”.

Mes faktorëve që mund të çojnë në tension, Berisha theksoi: rrezikun e mosrespektimit të procedurave të rregullta të pranim–dorëzimit, mundësinë e kundërshtimit nga pala serbe dhe faktin se janë mbi 1500 vendime të marra nga udhëheqjet aktuale, të cilat mund të kontestohen nga kryetarët e rinj.

Ai shtoi: “Nëse s’ka transparencë gjatë pranim–dorëzimit të detyrës, atëherë nga udhëheqja e re mund të ketë akuza për abuzim me detyrën zyrtare, duke përfshirë vendime dhe dokumente të ndjeshme”.

Eksperti i sigurisë shprehu edhe shqetësimin për mundësinë e provokimeve:

Uroj që gjatë dorëzimit të detyrës të mos ketë provokime, protesta e përplasje nga komuniteti serb, siç pat ndodhur kur kryetarët shqiptarë u vendosën në ndërtesat e komunave”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi mbetet i paparashikueshëm.

Gjatë pranim-dorëzimit të detyrave mund të ketë shumë të panjohura, andaj nuk duhet neglizhuar fakti se mund të ketë ndonjë skenar të papritur nga pala serbe”.

Berisha theksoi se, pavarësisht ndryshimit të kryetarëve lokalë, autoritetet qendrore të Kosovës mbajnë përgjegjësinë për garantimin e stabilitetit në veri:

Edhe pse pushteti lokal kalon te kryetarët serb, autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë kompetenca dhe kontroll për stabilitet institucional”.

Sipas tij, që procesi të kalojë pa incidente, institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi maksimale:

Transparenca, zbatimi i ligjit, gatishmëria për dialog dhe kontrolli i sigurisë mund të ndikojnë që ky proces të kalojë pa incidente. Nuk duhet neglizhuar as ndonjë lëshim i vogël, sepse do t’i shkonte për shtati Serbisë dhe grupeve të ndryshme për të ndezur përsëri tensionet”. /TVArbëria