Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i dytë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.
Eksperti i pylltarisë në programin e FAO-s, Ergin Hajredini, ka thënë se Kosova duhet të nisë procesin e certifikimit të pyjeve, nëse synon të eksportojë produkte të drurit drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, BE-ja ka kërkesa strikte dhe produktet që eksportohen duhet të kenë lëndë të parë të certifikuar, gjë që aktualisht pyjet e Kosovës nuk e përmbushin.
“Është kërkesë e Bashkimit Evropian që nuk mund të eksportosh produkte pa lëndë të parë të certifikuar. Druri është baza dhe pyjet tona ende nuk e kanë këtë status,” deklaroi Hajredini.
Për këtë arsye, shumë kompani vendore detyrohen të furnizohen me dru nga vende fqinje si Bosnja, e cila ka pothuajse të gjithë pyjet e certifikuar.