Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Eksperti britanik: Grenell mund të përdorë postin e Sekretarit të Shtetit për të shfaqur urrejtjen ndaj Kurtit

Eksperti britanik: Grenell mund të përdorë postin e Sekretarit të Shtetit për të shfaqur urrejtjen ndaj Kurtit

Eksperti britanik dhe analisti i politikave ndërkombëtare, Eric Gordy, ka komentuar fitimin e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, duke bërë disa parashikime lidhur me ndikimin që administrata e re mund të ketë në marrëdhëniet e Kosovës dhe rajonit.

Gordy ka thënë se një nga emrat e mundshëm për postin e sekretarit të Shtetit, Richard Grenell, mund të sjellë një qasje të ashpër ndaj qeverisë së Kosovës, sidomos ndaj kryeministrit Albin Kurti.

“Një nga emrat që përmendet më shpesh si sekretar i mundshëm i shtetit për administratën e re është Grenell. Nëse ai e zë këtë pozitë, mund të pritet që të shfaqë urrejtjen e tij personale për Kurtin në kurriz të Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai ka paralajmëruar se administrata e re e Donald Trump do të ndalojë mbështetje për programet që promovojnë demokracinë dhe barazinë gjinore, duke favorizuar regjimet autoritare në Ballkan.

Ai tha se aleanca e Trump me Rusinë do të ndikojë politikën në rajon, dhe projektet si ndërtimi i hoteleve në Serbi e Shqipëri mund të çojnë në pastrim parash dhe korrupsion.

“Projekti 2025 ka premtuar tashmë se SHBA do t’i japë fund mbështetjes së saj për programet për promovimin e demokracisë dhe barazisë. Prisni një aleancë të fortë me forcat në të gjithë rajonin që promovojnë autoritarizmin. Do të ketë gjithashtu një zhvendosje për të ndërtuar aleanca me komunitetet fetare dhe për të braktisur nismat për barazi gjinore”, tha Gordy.

“Aleanca personale e Trump me Rusinë do të strukturojë politikën në rajon, në mënyra të parashikueshme. Iniciativa si projektet e ndërtimit të hoteleve në Serbi dhe Shqipëri sugjerojnë se i gjithë rajoni i Evropës Juglindore do të jetë një bazë për pastrim parash, veçanërisht duke përfshirë paratë me origjinë nga Arabia Saudite dhe kompanitë e kontrolluara nga dhëndri i Trump. Prisni një shpërthim marrëveshjesh korruptive dhe dhurata të pashpjegueshme të pronës publike”, përfundoi ai për GazetaBlic.

Powered by WordPress