Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Mision i pamundur dhe jashtë çdo imagjinate po konsiderohet ideja për zhbërjen e Gjykatës Speciale nga administrata e re amerikane.

Me rikthimin Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ngritur pyetja nëse Gjykata Speciale do të mund të ndërpriste punën e saj, kjo bazuar në disa deklarata të njerëzve të afërt me Trump, të cilët kanë atakuar gjykatën.

Ish-i dërguari amerikan për dialogun në mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell kishte kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sipas tij, përdor “akuza të sajuara nga Jack Smith kundër krerëve të UÇK-së.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se për ndërprerjen e punës së Gjykatës Speciale mund të vendosin institucionet e Kosovës në koordinim me Këshillin Evropian.

Sipas tij, një mekanizëm i tillë nuk mund të shfuqizohet për shkak të një personi të fuqishëm në administratën e re amerikane.

“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale pothuajse është mision i pamundur… Vendimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në radhë të parë është vendim i institucioneve të Republikës së Kosovës, por gjithmonë në bashkëpunim shtetet e Këshillit të BE-së, me Këshillin Evropian sepse Gjykata Speciale është si derivat i një rezolute të miratuar në Këshillin e Evropës. Në këtë drejtim thuajse është e pamundur dhe nuk ka as logjik dhe as sens juridik që shtetet perëndimore me demokracitë më të zhvilluara të bëjnë kalkulime të tilla për të mbyllur një mekanizëm siç është Gjykata Speciale vetëm për shkak se një këshilltar apo një person i fuqishëm në administratën e re amerikane mund ta dojë këtë“, theksoi ai.

Njohësi i aspekteve ligjore, Ehat Miftaraj konsideron se personat që janë duke u gjykuar në Hagë, nuk mund të lirohen si rezultat i vendimeve politike.

“Personat që janë duke u gjykuar në Hagë mund të lirohen si rezultat i procedurës penale nëse gjykata vlerëson se nuk ka pas përgjegjësi penale, por nuk mund të lirohen apo nuk mund të përfundoj puna e kësaj gjykate me vendime politike… Kjo gjykatë e ka një bazë. Është një marrëveshje ndërkombëtare dhe janë disa obligime ndërkombëtare që ka marrë Kosova e ku si garant kanë hyrë SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të BE, shtete të ndryshme të botës. Thjesht është jashtë çdo imagjinate që të pretendohet apo të besohet se kjo gjykatë do të shfuqizohet”, thotë Miftaraj, për KosovaPress.

Zhbërjen e Speciales të pamundur e sheh edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

“Është e pamundur që administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Shtëpia e Bardhë apo kushdo tjetër mund t’i shpërbëjë Dhomat e Specializuara apo të ndikojë që të lirohen pa përfunduar procesi për të pandehurit. Në bazë të ligjit të Dhomave të Specializuara, është e qartë që Dhomat e Specializuara do t’i mbyllin dyert, respektivisht do ta kryej punën e vetë në momentin kur Këshilli i Evropës i informon autoritetet kosovare, Kuvendin e Kosovës që puna e Dhomave të Specializuar ka përfunduar. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbyllur Dhomat e Specializuara … Nuk shoh ndonjë mënyrë që mund të ndodh përfundimi i Dhomave të Specializuara apo kryerja e një procesi me ndikim politik”, theksoi Blakaj.

Blakaj thekson se mbyllja e Gjykatës Speciale në këtë fazë nuk është e favorshme as për personat që gjykohen në kjo gjykatë.

“Do të kishte pasoja të mëdha, unë mendoj edhe pasoja ndaj të pandehurve sepse procesi gjyqësor do të mbyllej pa një aktgjykim. Mendoj që kjo as atyre nuk iu shkon në favor sepse ata presin që gjyqësia ta jap fjalën përfundimtare dhe ndoshta eventualisht lirohen si të pafajshëm. Por, sidoqoftë ndërprerja e një procesi në fazë të tillë, do të ishte diçka e cila do të krijonte problem të mëdha edhe në sferën politike dhe në atë të drejtësisë“, shprehet Blakaj.

E në fillim të kësaj jave në një konferencë online për medie, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, foli për mundësinë e administratës së re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirje në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Bazuar në atë që Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet që promovojnë sundimin e ligjit, Trendafilova nuk mendon se Amerika do të përfshihet në ndonjë gjë që lidhet me punën e Gjykatës Speciale.

“Ne nuk jemi subjekt politik, ne jemi gjykatë, dhe askush nga ne nuk ka marrë pjesë në asnjë vendim lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në fakt, palët tona kryesore të interesit janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por ne kemi edhe shtete kontribuuese, mes tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, këtë e kam thënë dhe do ta përsëris deri në momentin kur do të jem gabim se askush nuk u përpoq të ndërhynte në punën tonë, vetëm nëse kanë pyetur se sa do të zgjasë ky rast, sa kohë do të zgjasë ai rast, kjo është e gjitha. Pra, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë para së gjithash; sigurisht fundi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ky është projekt i Bashkimit Evropian dhe i Kosovës, fundi i institucionit mund të jetë njoftimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian se çështja është para përfundimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe se hetimet kanë përfunduar. Dhe në lidhje me [zgjedhjet], kjo ishte zgjedhja e njerëzve në Shtetet e Bashkuara, zgjedhje spektakolare. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dihet se janë një nga vendet që promovojnë shumë sundimin e ligjit dhe nuk mendoj se do të përfshihen në ndonjë gjë që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u përgjigj Trendafilova.Dhomat e Specializuara në Hagë janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Më 3 prill të vitit 2023, ka nisur gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë. /kp/

Powered by WordPress