Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar, në Qendrën e Inovacionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Universiteti për Bashkëpunimin në Siguri të Mbrojtjes ka zhvilluar një trajnim për strukturat shqiptare të mbrojtjes kibernetike, me fokus forcimin e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve dixhitale dhe mbrojtjen e sistemeve kritike.
Sipas njoftimit të ambasadës, ish-ekspertë të Komandës Kibernetike të SHBA-së (USCYBERCOM) po punojnë së bashku me ALBCYBERCOM për identifikimin e sistemeve kritike dhe ndërtimin e operacioneve kibernetike më të qëndrueshme dhe efikase.
Ambasada amerikane thekson se ky bashkëpunim forcon angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale dhe dëshmon partneritetin e ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në përballimin e kërcënimeve moderne.
Universiteti për Bashkëpunimin në Siguri të Mbrojtjes (Defense Security Cooperation University – DSCU) është institucioni kryesor arsimor i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së për zhvillimin, trajnimin dhe certifikimin e forcave të angazhuara në bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë.
