Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Eksodi i bizneseve vendore drejt Kukësit – 90% e kompanive drejt zhvendosjes, përfshirë edhe “Solid Shoes”

Eksodi i bizneseve vendore drejt Kukësit – 90% e kompanive drejt zhvendosjes, përfshirë edhe “Solid Shoes”

Një valë e re zhvendosjesh po përfshin bizneset e rrethit të Prizrenit, teksa qindra kompani kanë paralajmëruar të transferojnë aktivitetin e tyre drejt Kukësit të Shqipërisë. Shkaku, problemet e vazhdueshme me energjinë elektrike, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të mëdha financiare dhe operative për sektorin privat në Kosovë.

Sipas burimeve nga terreni, rreth 90% e bizneseve prodhuese në zonën e Prizrenit do të zhvendosen në Kukës, nëse nuk rregullohen problemet me energji elektrike.

Një nga rastet më të fundit në këtë drejtim është Ahmet Kuçi, pronar i kompanisë së njohur të prodhimit të këpucëve “Solid Shoes”, me bazë në Suharekë. Ai ka paralajmëruar publikisht se nëse nuk zgjidhen menjëherë problemet me energjinë, kompania do të zhvendosë të gjitha operacionet në Kukës.

Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, shpreh shqetësim të thellë për shkëputjet e energjisë dhe kostot e larta shtesë, duke e cilësuar situatën si “shumë të vështirë.”
Sipas Kuçit, kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes KEDS për këtë çështje, por procesi gjyqësor mbetet i pazgjidhur. Kuçi thekson se KEK-u (Korporata Energjetike e Kosovës) ka kërkuar një garancion prej 15,000 eurosh nga kompania, pa dhënë asnjë shpjegim të vlefshëm për këtë kërkesë. Për më tepër, fatura e fundit e energjisë ishte 2,200 euro më e lartë se normalja.

Kuçi shpreh dyshime se kjo kërkesë për garancion po përdoret si pretekst për të rritur çmimet e energjisë. Kompania “Solid”, e cila operon prej rreth 20 vitesh dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj, ndodhet nën presion të madh për shkak të kontratave afatgjata me partnerë evropianë. “Ne nuk mund të ndalemi,” shprehet Kuçi, duke shtuar se puna e tyre është e lidhur me partnerë ndërkombëtarë dhe se ata nuk mund të ndërpresin prodhimin, pavarësisht kostove të papritura.