Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ekskluzive: PDK javën tjetër dorëzon mocionin për shpërndarjen e Kuvendit

Ekskluzive: PDK javën tjetër dorëzon mocionin për shpërndarjen e Kuvendit

Burime të TV Arbërisë marrin vesh se javën tjetër ka gjasa të marrë fund saga e zgjedhjeve të reja

Pas dështimit për ta përfshirë në agjendën e Këshillit Ministror anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tema e zgjedhjeve të reja parlamentare është rikthyer në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Mirëpo, edhe pse të gjitha partitë janë shprehur pro mbajtjes së tyre, përsëri ato kanë dallime se si dhe kur duhet të mbahen ato.

Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që e mbron qëndrimin se shpërndarja e Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky subjekt politik e përsëriti të njëjtin qëndrim edhe në takimin e ftuar nga Kryeministri Kurti, për të diskutuar krahas agjendës legjislative, edhe për këtë temë. Ndërkohë, një ftesë të tillë e refuzuan dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK është shprehur se është pro zgjedhjeve, por ajo kërkon që ato të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Kurti. Në anën tjetër, AAK insiston që hapi i parë në drejtim të zgjedhjeve të reja duhet të jetë votimi i mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Albin Kurti. Ndërkaq, në anën tjetër,  pushteti e ka konfirmuar edhe një herë se ai është i gatshëm për zgjedhje të reja, kurdo që partitë opozitare kanë konsensus për ketë temë.

Sidoqoftë, edhe përkundër këtyre dallimeve të sipër cekura javën tjetër ka gjasa që të ketë zhvillime konkrete në drejtim të përshpejtimit të tyre.

Partia Demokratike e Kosovës pritet që më fund ta dorëzojë mocionin për shpërndarjen e Kuvendit.  Burime të TV Arbërisë, tregojnë se ky subjekt parlamentar e ka gati arsyetimin dhe një pjesë të nënshkrimeve për ta finalizuar këtë procedurë. Por që të ketë sukses kjo nismë, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht paragrafit (2) ajo duhet të votohet nga dy të tretat (2/3) të gjithëve deputeteve. Dhe vetëm pasi këtij votimi shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës.

 

Ndërkohë, sipas konstelacionit aktual të parlamentit, kjo nismë është e pamundur te ketë sukses pa mbështetjen politike të mazhorancës. A do të ndodhë kjo, mbetet të shihet? Por nëse ajo votohet edhe nga pushteteti, atëherë votimi i këtij mocioni të propozuar nga PDK-ja, nuk shënon vetëm fundin e kësaj legjislature, por edhe fillimin e një historie të re të bashkëpunimit politik, të pa sprovuar deri më tani në nivel qendror.

Themes by WordPress