Përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka krijuar një konfiguracion të ri parlamentar. Në bazë të rezultateve aktuale thuajse asnjëra prej partive aktuale nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të qeverisur e vetme dhe pa koalicione, madje edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte ka deklaruar se duke u “bazuar në rezultatet deri tash, duket se do të ketë një qeveri të koalicionit”.
Ndonëse, secila prej partive politike parlamentare publikisht e ka mohuar se janë duke menduar për bashkëqeverisje ndërmjet vete, megjithatë burime të mirëinformuara të TV Arbëria, marrin vesh se tashmë ato kanë filluar ndërmjet tri partive dhe shumë shpejt pritet të finalizohen. Fjala është për një koalicion të ri ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partisë NISMA e cila aktualisht i ka fituar tre deputetë në kuadër të koalicionit parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Këto biseda kanë shkuar deri atje, sa tashmë janë ndarë dhe pozitat kryesore shtetërore. Kryeministër do të vazhdojë të jetë Albin Kurti. Pra, në këtë mënyrë Kosova do ta ketë Qeverinë Kurti 3, kurse president është paraparë të jetë Lumir Abdixhiku, pasi i njëjti nuk ia doli ta rrisë LDK-në në përputhje me pritjet politike. Kurse, pas përfundimit të mandatit si presidente, Vjosa Osmani do të kthehet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me anë të kësaj formule bashkëqeverisëse së bashku edhe me partitë minoritare, pritet që Kosova ta ketë një pushtet stabil politik, i cili po shihet si domosdoshmëri në një situatë gjithnjë e më të trazuar ndërkombëtare./tvarbëria/