Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ekskluzive: Arrestohet personi që dyshohet se merrej me shitblerjen e drogës në Gjilan

Ekskluzive: Arrestohet personi që dyshohet se merrej me shitblerjen e drogës në Gjilan

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Avdullah Presheva” në Gjilan, ku Policia ka kapur një person, që dyshohet se qe një kohë të caktuar merrej me shitblerjen e substancave narkotike.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për këtë rast është Labinot Sopi, 30-vjeçar.

Pas arrestimit, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku është gjetur një sasi e marihuanës dhe mbi 250 euro që janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 prë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/TV Arbëria