Avokati Besim Osmani në emisionin Arb Debat në TV Arbëria jep detaje skandaloze rreth një vendimi nga Gjykata Supreme e Kosovës. Bëhet fjalë për rastin e klientit të tij, Enver Qorri nga Drenasi, i cili ishte larguar nga puna në vitet e ‘90-ta nga ndërmarrja “Feronikeli”, në kuadër të spastrimeve etnike të regjimit të Millosheviqit.
Pavarësisht faktit që largimi nga puna është dokumentuar nga organizata ndërkombëtare si diskriminim etnik ndaj shqiptarëve, padia e Qorrit është refuzuar muajin e kaluar nga një gjyqtar i Dhomave të Veçanta në Prishtinë. Arsyetimi i gjyqtarit, sipas Osmanit, “i ngjan diskursit të kohës së regjimit serb”, duke pretenduar se “paditësi nuk është larguar nga puna, por nuk është paraqitur në vendin e tij të punës pesë ditë rresht”.
TV Arbëria ka siguruar dhe aktgjykimin në fjalë dhe paditësi është Enver Qorri nga Drenasi, klienti i avokatit Besim Osmani.
Aktgjykimi: 20250904_Aktgjykimi per Enver Qorri
Avokati Osmani jep detaje mbi rastin në Arb Debat:
“Gjykata Supreme është gjykatë e veçantë, gjykatë më vete. Aty ka gjyqtarë tepër të përgatitur, por ka edhe gjyqtarë… në mesin e tyre është një gjyqtar i cili nxjerr një vendim skandaloz, me një arsyetim skandaloz”
Paditësi është një palë nga Drenasi, i cili është larguar në mënyrë të dhunshme nga Feronikeli në vitet 1990-ta. Dhe është larguar për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ka qenë shqiptar. Këto fakte janë të konfirmuara, të raportuara dhe të vërtetuara edhe nga organizatat ndërkombëtare: Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Parlamenti Evropian, Kombet e Bashkuara, që largimi i shqiptarëve nga puna në vitet e ’90-ta ka ndodhur mbi baza etnike.
I njëjti është larguar nga puna dhe është rikthyer në punë në vitin 1999. Ndërkohë, ka bërë një padi në vitet e ’90-ta, në Gjykatën Komunale në Prishtinë, kundër vendimit për largimin nga puna, mbi bazën e faktit se i njëjti është larguar sepse ka qenë shqiptar. Ndërkohë, gjykata nuk e trajton, sepse gjykatat kanë qenë të menaxhuara nga regjimi i Millosheviqit. Dhe pastaj, as pas luftës nuk trajtohet. Në ndërkohë fillon likuidimi dhe kërkesa e tij bartet te autoriteti në likuidim, dhe refuzohet. Rasti shkon në Dhomat e Veçanta dhe gjyqtari, muajin e kaluar, nxjerr një vendim: refuzon padinë për arsye, sipas këtij gjyqtari, sepse:
“Ankuesi nuk është larguar nga puna, por i njëjti nuk është paraqitur në vendin e tij të punës pesë ditë rresht.”
Gjyqtarët vazhdojnë me mbrojtjen e diskursit serb të kohës, ku ky diskurs ka qenë i tillë që nuk po i largojmë shqiptarët nga puna, por po e lëshojnë vetë vendin e punës. E mohojnë edhe presionin edhe diskriminimin që është bërë nga regjimi i Millosheviqit karshi punëtorëve shqiptarë”, – kështu ka deklaruar avokati në Arb Debat.