Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ekrem Kastrati: Katër vitet si kryetar ishin periudha më krenare e jetës sime, qytetarët e Malishevës janë dëshmitarë të punës sonë

Ekrem Kastrati: Katër vitet si kryetar ishin periudha më krenare e jetës sime, qytetarët e Malishevës janë dëshmitarë të punës sonë

Kryetari aktual i Komunës së Malishevës dhe njëherësh kandidat për një mandat të dytë në zgjedhjet e 12 tetorit, Ekrem Kastrati, ka folur për fushatën zgjedhore dhe punën e bërë gjatë katër viteve të qeverisjes lokale në një intervistë në emisionin Pult në Arberia TV.

Kastrati tha se fushata e këtij viti në Malishevë është zhvilluar në mënyrë të qetë, demokratike dhe me rrjedhë normale, duke u dhënë të gjithë kandidatëve hapësirë për t’u prezantuar para qytetarëve.

“Gjatë kësaj periudhe që është periudhë e sistemit demokratik që secili formacion politik apo përkatësisht parti politike me kandidatë e vet sipër kryetar komune, mirëpo edhe për anëtarë të asamblesë, kanë bërë një fushatë të mirë, të ndërgjegjshme, demokratike, e veçanërisht në komunën e Malishevës ku vlen të theksohet se kjo fushatë është një ndër fushatat më të mira me rrjedhën e saj normale dhe secilit prej nesh na i është dhënë mundësia që para qytetarëve t’i pasqyrojmë edhe të kaluarën tonë, edhe historinë tonë, edhe angazhimet tona gjatë gjithë jetës, edhe punën që kemi bërë në sektorin publik”.

Duke u ndalur te mandati i tij aktual, Kastrati tha se i është dhënë rasti që të shërbejë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke e cilësuar këtë si një ndër periudhat më të rëndësishme të jetës së tij:

“Në veçanti për mua puna katërvjeçare që kam bërë në cilësinë e kryetarit të komunës,  ishte një ndër periudhat më krenare të jetës sime, sepse mu dha rasti që t’iu shërbej qytetarëve të komunës së Malishevës me dinjitet dhe profesionalizëm”.

Ai tha se ka besim se qytetarët e njohin punën e kryer.

“E konsideroj që gjatë kësaj periudhe katërvjeçare ne kemi bërë maksimumin tonë, që kemi pas çfarë të tregojmë para qytetarëve tanë për punën, angazhimet dhe projektet të cilat i kemi nis fillimisht, i kemi planifikuar fillimisht dhe i kemi realizuar, ato që tashmë qytetarët e Malishevës janë të vetëdijshëm që gjatë këtyre katër viteve është bërë një punë kolosale, e madhe, një punë e jashtëzakonshme në të gjitha drejtoritë e komunës së Malishevës dhe sigurisht në zyrat e sekretarit.”