Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Ekonomisti: Komunat rritën investimet kapitale për arsye elektorale, devijimi i fondeve solli çrregullime në prioritetet buxhetore

Ekonomisti: Komunat rritën investimet kapitale për arsye elektorale, devijimi i fondeve solli çrregullime në prioritetet buxhetore

Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike dhe fiskale, ka komentuar për TV Arbëria rritjen e dukshme të realizimit të investimeve kapitale të komunave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, si dhe devijimin e fondeve drejt pagesave të detyruara ligjore në vend të projekteve reale kapitale.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të adresuara nga televizioni lidhur me analizën e shpenzimeve publike të komunave për periudhën 2023–2025, Bellaqa tha se rritja e investimeve kapitale gjatë këtij viti ka pasur motive kryesisht elektorale.

“Gjatë ketij viti, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, komunat kanë realizuar investime kapitale ma shumë se gjatë kohës paraprake. Arsye bazë ishte që t’i kryen disa punë që nuk i kanë kryer gjatë mandatit dhe të fitojnë elektorat dhe vota për mi fituar pushtetin dhe mandatin apo besimin që të marrim besimin elektoral”, tha Bellaqa.

Ai shtoi se kjo rritje lidhet edhe me rritjen e shpenzimeve publike për punë që nuk janë kryer brenda periudhave të rregullta.

“Janë rritur shpenzimet publike ku shumë punë që nuk janë kryer në këtë periudhë janë mundur t’i kryen”, theksoi ai.

Sa i përket pagesave të mëdha të komunave ndaj përmbaruesve dhe zbatimit të kontratave kolektive, Bellaqa tha se ato janë zhvilluar sipas ligjeve në fuqi.

“Ndërsa sa i përket shpenzimeve lidhur me kontratën kolektive dhe shpenzimeve për përmbarues privatë, sigurisht kjo çështje janë kryer sipas ligjeve në fuqi dhe sigurisht gjyqësori e ka dhanë verdiktin e vet”, deklaroi ai.

Sipas tij, këto pagesa të detyruara kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të komunave.

“E gjithë kjo ka reflektuar që të ndryshohen prioritetet e shpenzimeve dhe nuk kanë shkuar sipas dinamikave dhe rrjedhave të parapara”, u shpreh Bellaqa.

Në komentimin e tij, ai paralajmëroi se devijimi i fondeve nga projektet kapitale në pagesa operative paraqet implikime afatshkurtra dhe afatgjata në menaxhimin fiskal të komunave, duke ulur efikasitetin e investimeve dhe duke krijuar pamundësi për realizimin e projekteve të reja infrastrukturore.

Në fund, Bellaqa theksoi nevojën për planifikim më të mirë buxhetor dhe respektim strikt të prioriteteve zhvillimore, duke shtuar se transparenca dhe llogaridhënia mbeten thelbësore për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave. /TVArbëria