Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ekipi i Trump-it goditet nga hakerat. Harris përqëndrohet tek ekonomia

Ekipi i Trump-it goditet nga hakerat. Harris përqëndrohet tek ekonomia

Ish-presidenti Donald Trump njoftoi për një sulm kibernetik ndaj një prej faqeve të internetit të fushatës së tij. Ndërsa ende po zbulohen detaje rreth këtij rasti, kandidati republikan për Nënpresident, JD Vance dha disa intervista të dielën, në të cilat ai sulmoi kandidatët demokratë për President. Ndërkaq, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, Nënpresidentja Kamala Harris dhe Guvernatori i Minesotës Tim Walz vazhdojnë fushatën të cilën e kanë përqëndruar në çështjet ekonomike.

Lajmi për sulmin kibernetik ndaj kandidatit republikan për President Donald Trump vazhdoi të mbizotërojë njoftimet e shtypit disa orë pasi ai shkroi për këtë të shtunën në platformën e tij të mediave sociale “Truth”.

Ai shkroi: “Sapo u informuam nga firma ‘Microsoft’ se një nga faqet tona të shumta të internetit ishte sulmuar nga qeveria iraniane”. Zyrtarët iranianë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Dokumentet që dyshohet se janë marrë përfshinin informacione për kandidatin republikan për Nënpresident, JD Vance. Ai u shfaq të dielën në disa media, por pyetjet u përqëndruan tek gara presidenciale.

Në rrjetin ABC, senatori i Ohajos i hodhi poshtë kritikat për deklaratat mbi familjen që ai ka bërë në të kaluarën dhe e ridrejtoi vëmendjen te politikat e kandidatëve demokratë.

“Pse nuk flasim për inflacionin? Pse nuk flasim për faktin se çmimet e ushqimeve janë të papërballueshme për shkak të politikave të Kamala Harrisit?”, tha zoti Vance.

Ekonomia ishte gjithashtu një pikë diskutimi në një tubim të së shtunës të Nënpresidentes Harris në Las Vegas.

“Premtimi im kur të bëhem presidente është se ne do të vazhdojmë luftën tonë për familjet e shtresës së mesme, duke përfshirë rritjen e pagës minimale dhe heqjen e taksave për bakshishet e kamarierëve”, tha Nënpresidentja Harris.

Rivali republikan bëri një premtim të ngjashëm në të kaluarën dhe akuzoi zonjën Harris për vjedhjen e zotimit të tij për të hequr taksat mbi bakshishet e punonjësve të restoranteve.

Edhe pse janë shtuar thirrjet që zonja Harris të japë më shumë detaje rreth planeve të saj ekonomike, vrulli i fushatës është i pamohueshëm, tha senatorja demokrate Amy Klobuchar në rrjetin ABC.

“Ajo i ka dhënë zemër vendit duke filluar nga Filadelfia në Viskonsin e deri tek tubimi në Arizona me mbi 15,000 pjesmarrës. Njerëzit janë të interesuar të ecin përpara”, thotë senatorja Klobuchar.

Zonja Harris do të kthehet në Uashington të dielën pas një aktiviteti politik në San Francisko. Ajo dhe presidenti Joe Biden pritet të bëjnë një paraqitje publike së bashku të enjten në Meriland.

Ish Presidenti Donald Trump është planifikuar të mbajë fjalim për ekonominë të mërkurën në Karolinën e Veriut. /VOA

Powered by WordPress