Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Efektet e vdekjes së paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri

Efektet e vdekjes së paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri

Nga Agron Hoti

Që pas rënies së komunizmit të rrallë kanë qenë ata politikanë shqiptarë, nëse asnjë, që kanë mbjellur më shumë antiamerikanizëm në Shqipëri siç ka bërë viteve të fundit Sali Berisha dhe Ilir Meta me strukturat e tyre. Talljet e tyre, pastaj sulmet e vazhdueshme dhe poshtërimi që këta dy politikanë ua bënin Ambasadorëve Amerikanë në Tiranë, nuk ndodhnin as në Moskë, Beograd, Teheran apo Pjong-jang.

Dhe këtë, këta dy politikanë po e bënin vetëm e vetëm për ta ruajtur paprekshmërinë dhe pandëshkueshmërinë para ligjit, prapa së cilës po fshihej lufta për ta mbrojtur pasurinë e tyre që flitet se shkon jo në miliona por në miliarda euro. Si rezultat i kësaj rezistence brutale Shqipëria pak para zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 po rrezikonte të ri-futej në luftë civile, për ç’shkak qe dashur të zbarkonte NATO mu në ditën e zgjedhjeve vetëm e vetëm që të mos përsëritej 1997-ta.

Ndërkohë, Rusia vetëm sa po i fryente zjarrit të minimit të demokracisë në Shqipëri. Televizioni rus po i transmetonte live zhvillimet shokuese atje. Rezistenca kundër SPAK-ut s’po njihte mjete. Privatizimi i opozitarizmit për qëllime personale, po e zhdukte opozitën në Shqipëri. E demokracia pa opozitë s’është demokraci. Sulmi i reformës në drejtësi ishte mbrojtja më e mirë. Qëllimi ishte i qartë: paprekshmëria dhe pandëshkueshmëria nga forca e ligjit po synoheshin të mbroheshin qoftë edhe me luftë civile.

Amerikanët po shprehnin hapur shqetësimin e tyre për rritjen e antiamerikanizmit në Shqipëri dhe pse jo edhe në Kosovë. Ndaj duhet të vepronin sa më shpejtë që të ishte e mundur. Demokracia në Shqipëri duhej të shpëtohej. Futja e Sali Berishës në listë të zezë nga SHBA dhe më pas izolimi i tij përfundimisht i hapi rrugë arrestimit të Ilir Metës sot.

Ndaj ky hap i sotshëm tashmë shënon vdekjen e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Frytet e SPAK-ut tanimë janë të prekshme. Sinjali për të tjerët tanimë është dhënë.

Prishtinë, më 21 tetor 2024

Themes by WordPress