Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Edy Reja porosit kroatët: Mos u mashtroni, nuk do ta keni lehtë – i mësova shqiptarët të luanin mbrojtje

Edy Reja porosit kroatët: Mos u mashtroni, nuk do ta keni lehtë – i mësova shqiptarët të luanin mbrojtje

Ish-selektori i kombëtares shqiptare, italiani Edoardo Edy Reja, ua ka tërhequr vërejtjen kroatëve që të mos i nënvlerësojnë shqiptarët para duelit mes dy kombëtarëve në Kampionatin Evropian.

I njohur si “misteri legjendar” në Kroaci, për shkak të respektit të madh që fitoi nga kroatët gjatë kohës sa e drejtori Hajdukun e Splitit, Edy Reja ka folur për mediat kroate para duelit Shqipëri-Kroaci.

Ai, në një intervistë për Sportske Novosti, ka thënë se është i lidhur me Shqipërinë dhe ka përmendur Arbër Hoxhën, për të cilin është shprehur se i kanë thënë se është driblues i papërshkrueshëm.

“Kam qenë në Dortmund, jam i lidhur me shqiptarët. Pra, dihet se Kroacia është favorit në çdo aspekt, në raport të lojës, përvojën e Modriçit dhe kompanisë. Mirëpo, do të ishte e rrezikshme, madje e pakuptimtë, t’i nënvlerësosh shqiptarët. Unë i mësova të luanin mbrojtje, Sylvinho e rafinoi skuadrën e tyre. Hajde, pranoje, a nuk është një mrekulli e vogël futbolli që Shqipëria zuri vendin e parë në grupin e saj në eliminatoret për këtë Euro dhe ishte më e mirë se Çekia dhe Polonia? Pra, jini të zgjuar”, tha Reja.

I pyetur nëse do të ishte një katastrofë për kroatët nëse do të mundeshin nga shqiptarët, ai ka thënë:

“Po e them edhe një herë, mos e mashtroni veten, nuk do ta keni të lehtë. Në fakt, Kroacia e ka vënë veten në pozitë të vështirë me rezultatin 0-3 ndaj Spanjës. Duhet një fitore ndaj Shqipërisë, por pasi mrekullitë mund të ndodhin në futboll, edhe shqiptarët mendojnë se mund të nxjerrin një “krismë të madhe”, kështu që me tre pikë do të arrinin në vendin e tretë. Dhe ju, mos harroni, edhe nëse fitoni pikë ndaj Shqipërisë, ju duhet një rezultat pozitiv në fund ndaj Italisë. Nuk është e lehtë për ju…”, i tha Reja, gazetarit kroat.

A mund të qëndrojnë shqiptarët pa pësuar gol?

“Është e vështirë të flasësh për këtë, nuk mund të luash për rezultat 0-0. Jeni të vetëdijshëm që dhjetë nga lojtarët e tyre e kanë mësuar plotësisht zanatin e tyre në klubet italiane, veçanërisht në lidhje me faktin se ata kryesisht luajnë në mjedise që luftojnë për mbijetesë. Përjashtim bën Berat Gjimshiti, i cili fitoi Ligën e Evropës me Atalantën në Dublin. Ka individë që mund t’ju shkaktojnë dhimbje koke. Do ta ndjek me shumë interes atë ndeshje, si dhe ndeshjen e azzurëve kundër Spanjës. Mund të jetë interesante të shohë se çka mund të bëjë lojtari i Dinamos, Hoxha, më thanë se është një driblues i papërshkrueshëm”, tha Reja.

Powered by WordPress