Në mungesë të edukimit të hershëm për shëndetin, pacientët në Kosovë po arrijnë në spitale vetëm kur gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet. Andaj, po konsiderohet urgjente përfshirja e edukimit të hershëm për shëndetin edhe nëpër shkolla.
Kështu u tha në Ditën Evropiane të të Drejtave të Pacientëve, gjatë një tryeze me temën “Edukimi shëndetësor në shkolla si pjesë e kujdesit të integruar shëndetësor”, e organizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK).
Drejtori i programeve në PRAK, Besim Kodra tha se sistemi shëndetësor në Kosovë është i mbingarkuar për shkak të mungesës së parandalimit.
Sistemi shëndetësor, sipas tij, nuk mund ta mbajë gjithë barrën e mirëqenies sociale.
“Sot sistemi ynë është i tejngarkuar dhe ai po vuan barrën e mungesës së parandalimit. Pacientët shpesh arrijnë në duart e institucioneve shëndetësore vetëm kur sëmundja e tyre është përkeqësuar apo vetëm kur ka ndërhyrje urgjente. Kjo nuk është vetëm një sfidë klinike, por një sfidë e mungesës së edukimit të hershëm për shëndetin. Në nivelin evropian edukimi shëndetësor po konsiderohet investimi më i mençur për mirëqenien dhe barazi afatgjate. Edukimi shëndetësor ka të bëjë me aftësinë për të kuptuar trupin, njohur emocionet dhe marr vendime të shëndetshme për të kërkuar ndihmë pa frikë dhe stigmë“, tha ai.
Merita Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë theksoi se përfshirja e edukimit shëndetësor në shkolla është një thirrje për veprim për të investuar në rritjes të vetëdijes.
Ajo tha se qëllimi kryesor i kujdesit të integruar është që pacienti “të mos humbasë në sistem, por të përfitojë nga një shërbim i vazhdueshëm”.
“Tema e këtij viti ‘Edukimi shëndetësor në shkolla’ si pjesë e kujdesit të integruar shëndetësor është më tepër se një slogan, është një thirrje për veprim, një angazhim për të investuar në të ardhmen përmes dijes dhe rritjes së vetëdijes. Kujdesi i integruar shëndetësor është një qasje që synon që të ofrojë shërbime të koordinuara, të vazhdueshme dhe të personalizuara për pacientët, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë aktorët që ndikojnë në shëndetin e tij. Jo vetëm mjekët dhe infermierët, por edhe psikologët, punonjësit social, shkollat çka është edhe më e rëndësishme përfshirjen e familjes. Qëllimi kryesor i kujdesit të integruar është që pacienti të mos humbasë në sistem, por të përfitojë nga një shërbim i vazhdueshëm”, theksoi ajo.
Ndërkaq, drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku theksoi se vetëm gjatë vitit 2024 janë realizuar 921 ligjërata, prej të cilave 574 kanë qenë në shkolla të Kosovës.
“Qysh nga viti 2004 ekziston strategjia për shkollat promovuese të shëndetit. Dhe që prej atëherë bëhet punë shumë vjeçare me një numër të ministrive në lidhje me konceptin e shëndetit të hershëm e deri tek shkollimi të përfshihen temat e shëndetit. Prej vitit 2024 në bashkëpunim janë kryer në bashkëpunim me të tjerët janë kryer trajnime të më shumë se 2600 mësimdhënësve për edukimin riprodhues dhe seksual gjithëpërfshirës në shkollat tona. Të gjitha programet që janë zhvilluar në shkolla, kemi pasur edhe hulumtim për të vlerësuar sa kanë qenë efektive këto trajnime. Gjatë vitit 2024 janë realizuar 921 ligjërata, prej të cilave 574 kanë qenë në shkolla të Kosovës ku kanë qenë të përfshirë mbi 28 mijë nxënës”,theksoi ajo.
Baraku e konsideroi të nevojshëm angazhimin edhe për edukimin e prindërve ku përmendi këshillat që kanë ndarë sa i takon vaksinës me HPV që vitin e kaluar filloi tek vajzat, ndërsa nga shkurti i këtij viti nisi për djemtë.
“Sivjet ka vazhduar vaksinimi edhe për djem dhe deri tani jemi diku tek 12 mijë dhe jemi shumë të barabartë sa i përket gjinisë dhe ky është lajm shumë i mirë sa i përket suksesit sivjet shumë mirë po shkon vaksinimi dhe nuk kemi reagime të prindërve që kemi pas vitin e kaluar”, u shpreh ajo.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues të UNFPA-së dhe KOMF të cilët e vlerësuan të nevojshme edukimin e hershëm shëndetësor./KP