Sipas Tahirit, kjo u refuzua menjëherë nga SHBA-ja, që respekton ndarjen e pushteteve dhe nuk ndërhyn në drejtësi.
Këtë episod Tahiri e zbuloi pasi u pyet nëse kishte shpresë që Amerika do të ndërhynte në procesin e drejtësisë në favor të ish-liderëve të UÇK-së.
“Kam me ta dhanë një shembull nëse kemi kohë. Ishte një kohë në vitin 2010, isha ministre. Ka qenë ambasadori amerikan Christopher Dell bashkë me Pieter Feithin, në atë kohë ka qenë përfaqësuesi special i BE-së dhe më thanë që nëse jam e gatshme të pranoja postin e presidentes. Biseduam dhe unë i dhashë përgjigjen dhe u thashë jam e gatshme”.
“Pastaj më erdhi ambasadori amerikan, hera e parë po e them. Më tha, ‘Edita, nuk kemi mundësi me e shty përpara sepse një prej politikanëve, nuk është këtu, por është në gjykatë jashtë, edhe ka kërkuar nga amerikanët, ju më ndihmoni të dalë nga gjykata dhe unë votoj Edita Tahirin’. Edhe më tha ambasadori: ‘A e di Edita se çfarë është për Amerikën që të prekim ligjin apo të ndërhyjmë në gjykatë? Ne për interesat tona është vijë e kuqe’. Haradinaj ka qenë! E qëllove, por nuk po dua të them më shumë”, tha Tahiri.