Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

Edicioni i ri në basketboll, parashikohet garë e fortë mes “Top 4”

Të premten do të nisë edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në basketboll, me tetë skuadrat pjesëmarrëse që veçse testuan kapacitetet e tyre në finalet e Superkupës së Kosovës, e cila në fund i takoi Trepçës.

Njohësit e basketbollit vendorë konsiderojnë se pjesa e epërme e tabelës do të ketë pamjen e njëjtë më atë të sezonit të kaluar, me Trepçën, Pejën, Prishtinën dhe Golden Eagle Yllin si skuadrat që synojnë titullin e kampionit.

Trajneri dhe analisti Ismet Ferati thotë për KosovaPress se Trepça është skuadra më e përgatitur në prag të sezonit të ri, derisa vlerëson se përbërjen më të fortë në organikë e ka Golden Eagle Ylli.

“Dihet që këtu Peja, Trepça, Prishtina dhe Ylli janë ekipe më stabile dhe më serioze, ndërsa pas tyre mendoj që do të jenë Prizreni, Bashkimi dhe Vëllaznimi të cilat do të luftojnë për vendet pesë dhe gjashtë që shkojnë në play-off edhe si ekipin e tetë e shoh Istogun i cili fatkeqësisht edhe pse është sezoni i parë e kemi parë që me përforcime nuk janë mirë… Unë si rival shumë të denjë e shoh ekipin e Yllit sepse në gjysmëfinale kam parë që ‘rosterin’ e kanë shumë serioz dhe trajnerin shumë të mirë dhe me përvojë. Tek Peja, nuk e kamë parë ende komponimin e ekipit edhe pse trajneri Hadar së bashku me trajnerin Beqiragic janë trajnerët më të mirë në basketbollin e Kosovës, problemi i tyre do të jetë komponimi… Prishtina është gjithmonë pretendente për titull, ende nuk e kemi parë Prishtinën e vërtetë… Ndërsa Trepçën prapë e shoh si ekipin më të përgatitur në fillim të kampionatit”, theksoi Ferati.

Edhe për ish-basketbollistin Valentin Spaqi, ajo që njihet si “Top 4” (Trepça, Peja, Prishtina, Golden Eagle Ylli) do të luftojnë deri në fund për titull, por bën thirrje që të mos nënvlerësohen edhe Bashkimi e Vëllaznimi.

“Duke parë investimet, organizimet, Prishtina ka filluar shumë herët, Trepça ka filluar shumë herët, Peja po ashtu, do të thotë prapë katërshja e madhe, duke shtuar edhe Yllin këtu, po ndahet disi tabela. Këto janë katër skuadra që do të synojnë mendoj nga fillimi, pastaj aty është Bashkimi, Vëllaznimi, kjo pjesa e poshtme e tabelës ku unë mendoj që normalisht edhe ato nuk janë skuadra për t’u nënvlerësuar, por kanë filluar më vonë, janë konsoliduar më vonë… Kështu që përafërsisht skuadrat janë definuar dhe pastaj t’i shohim lojërat e para”, tha Spaqi.

Ndërkohë ish-drejtori sportiv i KB Pejës dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Adriatik Rraci, ka thënë se edicionin 2023/24 në Superligën e Kosovës në basketboll do të jetë shumë më cilësorë se sa ai i viti ta kaluar.

“Duke i pasur parasysh përforcimet e ekipeve, mirëpo edhe ndeshjet e Superkupës që u zhvilluan tani, po besoj që ekipet janë mjaftueshëm të përgatitura, të gjitha ekipet kanë sjellë lojtarë cilësorë. Po besojmë që tashmë veçse e dimë, ekipet si Trepça. Peja, Prishtina, Ylli edhe po shpresoj shumë Bashkimi, Ponte Prizreni, Vëllaznimi dhe Istogu t’iu bashkëngjiten dhe të tregojnë ndeshje cilësore dhe duke krahasuar me vitin e kaluar, po besoj që Vëllaznimi ka me qenë befasia më e këndshme e sezonit, gjë të cilën presim që edhe Istogu gjatë këtij rrugëtimi të përforcohet dhe të jetë njëri nga konkurrentët e kësaj lige”, tha Rraci.

Sa i përket çështjes së prezencës së tifozëve në palestra, Rraci bëri të ditur se po vazhdojnë diskutimet brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe se së shpejti do të merret një vendim nëse ata do të lejohen në ndeshjet e basketbollit apo jo.

/TV Arbëria

Powered by WordPress